Gentian Bejtja të cilit mbrëmjen e të dielës iu bë një atentat në zonën e Niklës pranë Fushë Krujës ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve. 41-vjeçari ka rrëfyer se po kthehej në banesë me mikun e tij Klodian Stafuka kur në afërsi të një karburanti u qëlluan nga një makinë e zezë në lëvizje.
“Ishim në Fushë Krujë dhe po ktheheshim në shtëpi. Na doli në rrugë një makinë e zezë që qëlloi në drejtimin tonë. I dhashë makinës gaz që të shpëtonim nga plumbat. Nuk e pamë kush na qëlloi. Dëgjuam vetëm breshërinë e plumbave”, ka thënë Bejtja para hetuesve.
Bejtja mori një plumb në krah dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë në spitalin e Traumës në kryeqytet u largua për në banesë. Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina doli nga rruga duke bërë që të lëndohet pasagjeri Klodian Stafuka.
Edhe ai doli nga spitali pas marrjes së mjekimit dhe dhënies së dëshmisë. Stafuka ka dhënë të njëjtat detaje me Bejten për atë që kishte ndodhur.
Mësohet se hetimet janë përqendruar tek e kaluara e dy personave. Bejtja dhe Stafuka nuk janë emra të panjohur për policinë. Në vitin 2016 Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati pasi iu vendos tritol në makinë.
Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në 2013-ën ku ai dhe Enver Stafuka u akuzuan për vjedhjen e makinës së përdorur nga autorët, por për mungesë provash u lirua nga gjykata. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve, si dhe të karburantit pranë së cilit ndodhi atentati.