Një elektricist shqiptar dhe dy kolegë të tjerë të tij humbën jetën në mënyrë tragjike një ditë më parë në ishullin Evia të Greqisë. Shqiptari i identifikuar si Aleks Bruka u godit nga rryma 20 mijë volt dhe për 2 orë qëndroi i varur në shtyllën e tensionit.
Dy elektricistët e tjerë që ishin në tokë humbën jetën gjithashtu, ndërsa një i katërt mbeti i plagosur.
Vajza e 45-vjeçarit shqiptar, Kerta, duke folur për mediat greke, tha se babai i saj e bënte këtë punë prej 15 vitesh dhe gabimi i personave të tjerë shkaktoi tragjedinë.
“Po jetojmë në një çmenduri. Po mundohemi të organizojmë udhëtimin e fundit të babait për në Shqipëri. Këtë punë e bënte prej shumë vitesh. Në fakt, këtë vit do të mbaronte shkollën e elektriçistit, do të diplomohej dhe nuk do të ngjitej më nëpër shtylla. Për fat të keq, të tjerët e bënë gabimin, të tjerët nuk e dinin punën dhe na e morën babain nga duart. Shpresoj që autoritetet ta hetojmë mirë këtë çështje sepse asgjë nuk ka ndodhur papritur. Nuk ishte hera e parë që babai im bënte këtë punë. Është ngjitur nëpër shtylla për të paktën 15 vite. E dinte mirë këtë punë”, ka thënë vajza 20-vjeçare e shqiptarit të ndjerë.
Siç raporton shtypi grek, nëse gjithçka shkon sipas planit, trupi i pajetë i Aleks Bruka do të dërgohet në Shqipëri ditën e nesërme ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Tragjedia ndodhi pasditen e së enjtes në ishullin grek Evia. Elektricistët do të duhej të zhvendosnin shtyllën elektrike. Por fatkeqësisht u goditën nga 20 mijë volt tension dhe shqiptari, i cili ndodhej mbi shtyllë atë moment, humbi jetën menjëherë dhe trupi i tij u dogj.
Edhe dy kolegët e tjerë grekë që ndodheshin në tokë, mbetën të vdekur në vend. Ndërsa një i katërt u plagos dhe u dërgua në spital.
Tre persona janë arrestuar deri tani nga policia dhe akuzohen për neglizhencë.