Partia Demokratike ka çuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS që rrëzoi fletën e votimit me emra të propozuar nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Ivi Kaso nga Partia Demokratike tha se “kryeministri Edi Rama po mundohet të ngatërrojë shqiptarët”.
PD akuzon gjithashtu kryeministrin Rama edhe se po përpiqet të manipulojë me çështjen e logos. Vendimin e sotëm të KAS pro Bindjes Demokratike për ristilizimin e logos, demokratët e konsiderojnë të paligjshëm. Kjo sipas tyre do të ngatërrojë votuesit pasi PD dhe BD kanë logo të ngjashme.
“Rama sheh sondazhet e vërteta, sheh qytetarët që duan ndryshimin. Ai po përpiqet të manipulojë me çështjen e logos. Vendimi i sotëm është në shkelje të ligjit. Ata po mundohen të ngatërrojnë sot shqiptarët. Ne do ta apelojmë vendimin”.
Çështja e dytë i përket vendosjes së emrave. Rama është i turpëruar nga lista e kandidatëve dhe nuk do që qytetarët t’i shohin ata. Rama e di që ne nuk do të biem dakord për zgjedhje të padrejta. Shqiptarët janë të ngopur me manovrat e tij të ndyra”, u shpreh Kaso.
Partia Socialiste kërkonte që kandidatët të vendoseshin me numra në listë dhe jo me emra, siç kërkonte PD. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e ankimuan në KAS fletën e votimit. Demokratët insistonin edhe për renditjen vertikale të subjekteve zgjedhore.