Policia e Lezhës ka zbardhur një skemë mashtrimi ndaj operatorëve ekonomik në qytet. Bëhet fjalë për një grup që mashtronte biznesmenë të ndryshëm duke komunikuar me ta në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Për këtë arsye janë vënë në pranga dy persona, Shkëlqim Domi e Saimir Sallaku ndërsa punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre, Shefik Kurti, banues në Itali.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Domi dhe Sallaku, në bashkëpunim me Kurtin kanë përfituar më 14 korrik 15 mijë euro nga administratori i një operatori ekonomik.
Ata kanë komunikuar me të nëpërmjet aplikacionit “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Pas 3 ditësh, më 17 korrik, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë.
Policia e Lezhës thotë se po punon me kolegët e Tiranës për zbardhjen e një rasti të ndodhur në kryeqytet. Në këtë rast ata i kanë marrë 20 mijë euro një shtetasi po përmes kësaj skeme mashtrimi.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim”, përfundoi njoftimin e saj policia e Lezhës.