Një mbrëmje kuqezi, një mbrëmje shqiptare në Newcastle të Britanisë së Madhe.
Florian Marku vijon të bëjë magji në boks dhe sot magjia e tij rrëzoi në ring rivalin e radhës, Chris Jenkins, uellsianin që vinte si rival tepër i fortë, duke arritur të mbrojë titullin e tij “International welterwight” në versionin IBF.
E tregoi raundi i parë ku Jenkins ishte më agresiv me disa goditje ndaj boksierit tonë, ndërsa ky i fundit në raundin e tretë pëson dhe një çarje në raundin e tretë në vetullën e majtë.
Raundi i katërt bëhet i jashtëzakonshëm me Markun që e fton hapur rivalin dhe pse i gjakosur i jep dy goditje të rënda duke e hedhur në tapet. Gjyqtari ndërhyn duke i dhënë dhe fitoren boksierit kuqezi në prani të rreth 3500 spektatorëve, mes të cilëve shumë shqiptarë.
Për “The Albanian King” tashmë është ndeshja e 12-të si profesionist prej të cilave tani arrin 11 ndeshje fitore me një barazim.
Një fitore që i hap dyer të reja boksierit kuqezi që tashmë mund të kërkojë rival të mëdhenj.