Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën në Florida pas goditjes së uraganit Ian, i cili shkatërrori një pjesë të madhe të shtetit amerikan. BBC raporton se janë shënuar të paktën 10 viktima, por zyrtarët parashikojnë se numri i konfirmuar mund të rritet ndjeshëm.
Joe Biden ka paralajmëruar se ky uragan mund të jetë më vdekjeprurësi në historinë e Floridës me një humbje të konsiderueshme jetësh. Ian tani po lëviz në brendësi të vendit dhe po shkon drejt Karolinës së Veriut dhe Jugut.
Ndërkohë energjia elektrike është ndërprerë për rreth 2.2 milionë shtëpi dhe biznese në Florida. Përmbytjet kanë qenë aq të mëdha sa kanë bllokuar disa njerëz në shtëpitë e tyre, ndërsa Garda Kombëtare po shkon derë më derë në qytetin e Orlandos për të shpëtuar të bllokuarit.
10 viktimat e konfirmuara ishin në qarkun jugperëndimor Charlotte. Joseph Tiseo, një komisioner lokal u shpreh për BBC News se zona kishte një erë shumë të fuqishme që zgjati për 12 orë rresht. Ai tha se nuk është ende e qartë se sa prej vdekjeve të shënuara në atë zonë ishin rezultat i drejtpërdrejtë i uraganit.