Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk e ka bindur bumi turistik i Shqipërisë që të jetë optimist për ekonominë e vendit.
Në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar në prill, FMN ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të vendit për këtë vit.
FMN pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.1% në vitin 2024, nga 3.3% që kishte qenë vlerësimi fillestar në raportin e tetorit 2023.
Kështu, Shqipëria renditet ndër vendet që do të kenë rritjen më të ulët, e katërta nga gjashtë shtete gjithsej.
Rritjen më të lartë pritet që ta ketë Kosova, me 3.8%. Edhe për Kosovën, FMN ka bërë një rishikim të lehtë në ulje, nga 4% që ishte vlerësimi i tetorit. Mali i Zi pritet të ketë një ecuri prej 3.7%, i njëjtë me tetorin.
Sakaq, rishikimi më i ndjeshëm në rritje është për Serbinë, që tashmë pritet të zgjerohet me 3.5%, nga 3% që ishte vlerësimi fillestar.
Për Maqedoninë e Veriut pritet rritje prej 2.7% )dhe për Bosnjë-Hercegovinën është bërë rishikimi më i fortë në ulje, nga 3% në 2.4%.
FMN pret që inflacioni të ulet në 3.5%, pas një mesatareje prej 4.8% në vitin 2023, për të zbritur pas vitit 2025 në 3%, që është dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë.
Deficiti i llogarisë korente ndërkaq pritet të përkeqësohet lehtë në -3.8% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), nga 3.7% në vitin 2023.
Referuar vlerësimeve paraprake të Institutit të Statistikave (INSTAT), për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit shënoi një rritje me bazë vjetore prej 3,44%.
Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85% u shënua një ngadalësim,
Në vitin 2023, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes.
Ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative.
Pavarësisht se Shqipëria shënoi vitin më të mirë turistik në vitin 2023, me më shumë se 10 milionë shtetas të huaj që hynë në vend, konsumi ishte mjaft i dobët.
Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96%, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.
Po ashtu edhe në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmoi turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta.
Niveli i lartë i emigracionit, sidomos i të rinjve dhe shtrenjtimi i çmimeve vlerësohet se kanë ulur konsumin vendas, që nuk është arritur të kompensohet nga turistët.