Në një deklaratë për mediat, zyra për shtyp e Foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha reagoi për listën me emrat e delegatëve të publikuar më herët nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, sipas të cilit 69% e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit.
Zyra e shtypit e Berishës, thotë se kjo listë po denoncohet nga shumë demokratë si e falsifikuar dhe ku duket qartë fryrja fiktive e mandateve të qarqeve krahasuar me Kuvendin e fundit. Lexohen emra pa u shoqëruar me funksionet e tyre përkatëse, apo se cilës dege i përkasin.
Kjo sipas “Foltores”, bëhet me qëllimin e vetëm për të krijuar turbullirë në vend të transparencës me shpresën se do krijojnë konfuzion. “Lodhen kot! Revolucioni nuk ndalet me falsifikime”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë: “Për javë me radhë demokratët nga gjithë Shqipëria, dege pas dege kanë publikuar me gojën e tyre emrat e delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit të parë në historinë e vendit që mblidhet me kërkesën e anëtarësisë.
Sot në një krize paniku në ditën e fundit si kryetar Basha nxori Gaztorin e tij për të lexuar një listë që po denoncohet nga shumë demokratë si e falsifikuar dhe ku duket qartë fryrja fiktive e mandateve të qarqeve krahasuar me Kuvendin e fundit. Lexohen emra pa u shoqëruar me funksionet e tyre përkatëse, apo se cilës dege i përkasin. E gjitha kjo për të krijuar turbullirë në vend të transparencës me shpresën se do krijojnë konfuzion!
Lodhen kot! Revolucioni nuk ndalet me falsifikime. Asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e mijëra delegatëve demokratëve për të marrë pjesë në Kuvendin e Rithemelimit i cili do shkëpusë përfundimisht Partinë Demokratike nga pazaret Rama-Basha duke ia kthyer atë demokratëve!
Ftojmë të gjithë demokratët dhe delegatët e Kuvendit të bashkohen në Ditëlindjen e Partisë Demokratike për të dalë nga rrethi vicioz i humbjeve dhe për të nisur rrugëtimin tonë drejt FITORES!