Melinda Gates, bashkë-kryetare e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, tha se ajo dhe bashkëshorti i saj, Bill Gates kanë biseduar me presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden drejtpërdrejt për pandeminë e koronavirusit.
Melinda sqaroi se është shumë më optimiste për kreun e ri të shtetit dhe task forcën e re anti-Covid.
Teksa premtoi 250 milion dollarë të tjerë në luftën kundër koronavirusit, Melinda sqaroi se shqetësimi i saj më i madh tani për tani është marrja e vaksinave në “cepat e largët të globit”.
“Të gjithë kanë nevojë për këtë vaksinë. Nëse e marrin vetëm në vendet me të ardhura të larta, kjo sëmundje do të kërcejë, ne do të shohim dyfish më shumë vdekje”, tha ajo.
Melinda sqaroi se financimi i ri do të shkojë për blerjen e 200 milionë dozave për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Bota duhet të mbledhë më shumë para për t’u siguruar që vendet me të ardhura të ulëta mund të marrin vaksinën,” tha ajo.