Me një anëtar më pak që nga Brexit-i, Europa po bën gjithçka që mundet për t’i bërë fqinjët e saj lindorë pjesë e planeve të zgjerimit, shkruan Pascale Davies për revistën prestigjioze ”Forbes”.
”Në përpjekje të zgjidhjes së një bllokimi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që t’i bashkohen bllokut, Komisioni Europian, për të qetësuar Francën, njoftoi më 5 shkurt një sërë ndryshimesh për pranimin e vendeve të reja në grup.
Duke përmbushur kërkesat e presidentit francez Emmanuel Macron, një pjesë e propozimeve të reja u jep vendeve anëtare fuqinë për të pezulluar procesin e anëtarësimit në bllok, madje mund të bëjë që vendet të rifillojnë bisedimet e anëtarësimit.
Propozimet u imponuan nga Franca, që shkaktoi një reagim të madh në tetor, pasi bllokoi bisedimet e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Danimarka dhe Holanda mbështetën gjithashtu vendimin e Francës duke u shprehur se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeteshin ende një problem në Shqipëri.
Në atë kohë, zyrtarët e lartë të BE-së e quajtën bllokimin e negociatave ”një gabim historik”, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev paralajmëroi se Kina dhe Rusia do të mbushnin boshllëkun që la BE.
Një pritje e gjatë
Në një deklaratë të nënshkruar në vitin 2003 në Greqi, BE u shpreh se Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi i shihte si kandidatë të mundshëm dhe premtoi se ata mund t’i bashkoheshin bllokut një ditë.
Por, pas 16 vitesh, vetëm Kroacia i është bashkuar bllokut, kur u bë anëtarja e 28-të, në vitin 2013.
“Ky është një investim gjeostrategjik që duhet ta bëjmë të gjithë, shpresojmë se të gjitha vendet anëtare do të jenë partnere”, deklaroi komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ai shtoi se BE ende synon të pranojë gjashtë vendet e Ballkanit, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën.
Miratimi francez
Megjithatë, propozimet do të duhet të miratohen nga 27 vendet anëtare të BE-së, para një samiti me gjashtë vendet e Ballkanit që do të mbahet në maj. Deri më tani duket se Franca do të mbështesë sistemin e ri.
“Është një hap në drejtimin e duhur. Po propozohet një ndryshim i vërtetë i metodologjisë. Një ndryshim i rëndësishëm dhe pozitiv”, deklaroi një zyrtar i Elysee.
Një tjetër ndryshim i propozuar është rritja e numrit të samiteve në Ballkan, gjë që do i jepte ministrave më shumë mundësi për t’u shprehur për këtë proces, por gjithashtu mund të forcojë lidhjet mes Brukselit dhe fqinjëve të tij lindorë.
“Një zgjedhje katastrofike”
“Ndërvarësia mes BE-së dhe Ballkanit shkon përtej afërsisë gjeografike dhe së fundmi është theksuar nga krizat financiare, ekonomike dhe të migracionit”, deklaroi analistja e njohur Corina Stratulat, e Qendrës së Politikave Europiane.
Stratulat shtoi se Ballkani dhe BE ndajnë gjithashtu të njëjtat probleme dhe interesa, kur bëhet fjalë për paqëndrueshmërinë gjeopolitike në rajon dhe paparashikueshmërinë e lojtarëve të mëdhenj globalë, terrorizmin, radikalizimin dhe krimin e organizuar.
“Të mendosh se BE mund të shkëputet nga Ballkani është një iluzion, për të mos përmendur një zgjedhje katastrofike, përfshirë ambiciet e Unionit për të qenë një lojtar global”, theksoi ajo.