Turqia është shndërruar në fuqinë kryesore detare në rajonin e Mesdheut Lindor. Në këtë përfundim del një studim i Qendrës për Kërkime Strategjike dhe Politikën Detare në universitetin e Haifas në Izrael, që vë në dukje implikimet e këtij zhvillimi. Sipas kësaj qendre rritja e kapaciteteve detare të Turqisë përbën rrezik për Izraelin të cilit i këshillohet të konsiderojë seriozisht këtë zhvillim.
Një ndër autorët e raportit, koloneli Shlomo Guetta vlerëson se lloji i fuqisë që po ndërton Ankaraja i ngjan asaj të një fuqie rajonale, e cila po dëshmon aftësinë që të kryejë në det operacione me rreze të gjatë. Një tjetër arsye për shqetësim citohet të jetë përmirësimi i flotës së nëndetëseve që pritet të shtohet me rreth 14 njësi, duke i dhënë Turqisë avantazh të madh në raport me Izraelin. Në tërësinë e vet raporti vlerëson se riarmatimi që është në proces nga Ankaraja pritet të krijojë kapacitete goditëse të paprecedenta në Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor, çka në parim përbën ndryshim të balancës së forcës në mbarë rajonin.
“Shtuar kësaj, Turqia prodhon armë vetë, përfshirë raketa të komanduara me rreze qindra kilometra. Në tërësi, Ankaraja ka lëvizur drejt prodhimit të brendshëm të aseteve detare dhe bazohet në ekspertizën gjermane për ndërtimin e nëndetëseve dhe mjeteve të tjera”, thuhet në raport.
I njëjti dokument vëren se në vitet e fundit, Turqi ka zhvilluar disa stërvitje shumë të mëdha ku përfshihen mbi 100 anije dhe një duzinë aeroplanësh. Vëmendja e Izraelit ndaj Turqisë lidhet me një seri zhvillimesh që kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e forcës ushtarake si të tillë, por edhe me politikat që mbështeten sot nga Ankaraja zyrtare. Është fakt i pamohueshëm se ndryshimi i balancës në Mesdheun Lindor, herët apo vonë do të çojë në futjen në axhendë të problemeve të bartura politike. Dhe Turqia e sotme është një vend që ka njoftuar publikisht se e sheh veten viktimë të një rendi ndërkombëtar që nuk mbështetet më nga forcat në terren.