Wall Street Journal: “Forcat amerikane janë prej një viti në Tajvan për të përgatitur mbrojtjen nga një pushtim kinez dhe për t’iu mësuar “strategjinë e iriqit”. Reagimi i Pekinit: “Largohuni nga aty”.
Guido Santevecchi – Corriere della Sera
Dy duzina trupash të Forcave Speciale të SHBA-ve dhe një kontingjent i vogël marinsash, janë vendosur në Tajvan për të trajnuar ushtrinë e Taipeit që të mbrojë veten në rast të një sulmi kinez.
Burimet e Pentagonit, zbuluan lajmin për shtypin amerikan, menjëherë pas shfaqjes së fuqisë ajrore nga Pekini, i cili midis 1 dhe 4 tetorit nxori n fluturim 150 avionë, përfshirë ata luftarakë dhe bombardues, rreth ishullit “rebel”.
Operacioni sekret (jo dhe aq shumë) ka vazhduar për një kohë të gjatë, të paktën një vit. Lajmet kanë qarkulluar në shtypin e Taipeit që në fund të vitit 2020, pasi fotografitë e Beretave të Gjelbra Amerikane në ishull dolën në mediat sociale dhe madje Grupi i 1-rë i Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane, publikoi një video promovuese të aktiviteteve të tij në Tajvan, i tërhequr pas vëmendjes së madhe që shkaktoi.
Sipas burimeve të Uashingtonit, të cilët folën për gazetën “Wall Street Journal”, trupat e Forcave Speciale Amerikane, trajnojnë njësi të vogla tokësore tajvaneze në aksione të rezistencës dhe marinsat mësojnë se si të shfrytëzojnë potencialin e anijeve të lehta dhe të shpejta që mund të pengojnë një përpjekje për zbarkim të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit të Kinës.
Zëdhënësi i Pentagonit nuk e mohoi lajmin: “Unë nuk kam komente për të bërë mbi operacionet specifike, por dua të theksoj se mbështetja jonë për Tajvanin dhe marrëdhëniet tona për mbrojtjen e ishullit, përputhen me kërcënimin e Republikës Popullore të Kinës. Ne i kërkojmë Pekinit të respektojë angazhimet e tij për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve”.
Fjalët e zyrtarit amerikan të mbrojtjes, lënë të kuptojnë objektivin politik të përhapjes së lajmit: sinjalizimi se SHBA-të janë gjithmonë pranë demokracisë tajvaneze, madje edhe ushtarakisht, pavarësisht se zyrtarisht njohin vetëm qeverinë e Pekinit dhe kanë pranuar në vitet 1970 parimin se është “vetëm një Kinë” (ajo komuniste).
Dy duzina të “Navy Seals” dhe një departament i vogël specialistësh detarë, nuk e ndryshojnë natyrshëm situatën në teatrin e operacioneve që nuk ishte aq sekret.
Sigurisht, që inteligjenca ushtarake kineze nuk kishte humbur imazhet e komandove amerikane në stërvitje në plazhet e Tajvanit.
Sidoqoftë, përveç këndvështrimit politik, prania e instruktorëve ushtarakë amerikanë, ka një vlerë strategjike. Uashingtoni ka kohë që u bën thirrje miqve në Tajvan që të mos mbështeten vetëm në taktikat tradicionale të mbrojtjes, veçanërisht forcat ajrore. Pentagoni ka frikë se aeroportet dhe aeroplanët tajvanezë do të fshiheshin nga kinezët në sulmin e parë masiv.
Një plan beteje i lënë në trashëgim nga këshilltarët e administratës Trump, i kërkon Taipeit të përgatisë “strategjinë e iriqit“: do të thotë të mbyllet si një iriq, të shfrytëzohet vështirësia e armikut, në vend që të pretendohet se përputhet me forcën e tij ajrore dhe detare.
Reagimi tajvanez, mbi të gjitha duhet t’i bëjë kinezët të kuptojnë se ata janë në gjendje të ngadalësojnë dhe ta bëjnë pushtimin shumë të përgjakshëm.
Paqartësia strategjike e Uashingtonit, parashikon që përforcimet amerikane do të mbërrinin në atë pikë me transportuesit e avionëve të tyre, nëndetëset bërthamore dhe, në rastin më ekstrem, divizionet e marinsave.
“Më mirë të zhvillojmë sisteme më pak të shtrenjta, por vdekjeprurëse“, në kontrast, thuhet në raport. Prandaj, duhet më shumë hapësirë për raketat kundër anijeve, minave “inteligjente”, anijeve të vogla dhe të shpejta që mund të shkaktojnë humbje të mëdha në flotën e pushtimit, forcave tokësore të trajnuara mirë në luftime të zgjatura.
Kontigjenti i vogël amerikan i pranishëm në bazën e Tajvanit, po bën pikërisht këtë: trajnon tajvanezët në “strategjinë iriq”.
Qëllimi është që Pekini të kuptojë se pushtimi i Tajvanit do të shndërrohej në ferr. “Unë nuk po përjashtoj që kinezët tashmë e dinin dhe ishin informuar për praninë amerikane në ishull”, – thotë Bonnie Glaser, drejtore e Programit të Azisë në Fondin Gjerman Marshall.
“Por bërja publike e operacionit, do t’i shtyjë kinezët të reagojnë dhe ata ndoshta do ta bëjnë këtë, duke rritur presionin mbi Taipein, por këtë herë me veprime më destabilizuese sesa fluturimi i avionëve të tyre rreth ishullit”.
Me pak fjalë, Uashingtoni dhe Pekini po luajnë “poker” dhe Tajvani është në rrezik.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Pekin, komentoi lajmet për praninë e forcave speciale amerikane në ishull, duke kërkuar tërheqjen e tyre dhe duke siguruar se “Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”. Për momentin, një përgjigje rutinë për një zëdhënës.