Bota Forcat paqeruajtëse në Ukrainë, Lavrov paralajmëron për përplasje Rusi-NATO

Forcat paqeruajtëse në Ukrainë, Lavrov paralajmëron për përplasje Rusi-NATO

Nje rakete ruse ne Krime

Rusia paralajmëron vendet e NATO-s që të mos dërgojnë misione paqeruajtëse në Ukrainë, pasi një veprim i tillë do të çonte në një përplasje direkte mes dy ushtrive.

Deklarata erdhi nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në kundërpërgjigje ndaj Polonisë, që në samitin e nesërm të NATO-s, do të propozojë që në Ukrainë të dërgohet një mision paqeruajtës.

“Kolegët tanë polakë kërkuan përpara samitit të NATO-s që të dërgohen paqeruajtës në Ukrainë. Shpresoj që ata të kuptojnë se për çfarë po flasin? Kjo do të çojë në përplasje direkte mes Rusisë dhe forcave të armatosura të NATO-s, që të gjithë jo vetëm janë përpjekur ta shmangin, por dhe kanë thënë se nuk duhet të ndodhë në parim”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po mbajnë peng negociatat e paqes mes Kievit dhe Moskës duke mos lejuar Ukrainën të pranojë kompromis. “Në ngadalësimin e procesit të bisedimeve, amerikanët po luajnë rolin e tyre kyç, me qëllim për të dramatizuar situatën, për të lejuar presidentin Zelensky të performojë në bluze ushtarake përpara parlamenteve ndërkombëtare dhe pas çdo performance kaq emocionale kërkohet ndërhyrja e NATO-s”.

Prej 28 ditësh Ukraina është nën bombardimet ruse. Presidenti Zeneski deklaron se populli ukrainas është në prag të mbijetesës.

Luftime të ashpra raportohen në Kharkiv dhe Mariupol, ku forcat detare ruse po bombardojnë edhe në periferi të portit më të rëndësishëm të vendit, Odessa.

Kjo është pjesë e planit të Moskës për të bllokuar hyrjen e Ukrainës në Detin e Zi. Gati 90% e qytetit të Mariopulit është bombarduar.