Aktualitet Forcat RENEA në aksion, pamje nga operacioni antidrogë “Shpirti”

Forcat RENEA në aksion, pamje nga operacioni antidrogë “Shpirti”

200 forca policore janë angazhuar këtë të premte në kuadër të operacionit “Shpirti”. Bëhet fjalë për forca nga reparti special RENEA, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe drejtoritë vendore të policive në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës. Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit ku dallohen forcat RENEA dhe jo vetëm në aksion.

“Operacioni është zhvilluar në kushte të larta sigurie për forcat policore pjesëmarrëse, në të njëjtën kohë në të gjitha qarqet, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata”, thuhet në një njoftim.

Gjatë aksionit policor janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe rreth 60 mijë euro. Mësohet se Interpol Tirana dhe Fast Albania po bashkëpunojnë me homologët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij operacioni.

“Edhe në këtë operacion Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm të lartë dhe besueshmëri te partnerët, e shprehur kjo edhe gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e SPAKU-t, nga krerët e policive dhe agjencive ligjzbatuese pjesëmarrëse në këtë operacion. Sigurojmë qytetarët dhe homologët se Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të punuar dhe bashkëvepruar me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin, evidentimin, hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar në cilëndo fushë që ai shfaqet”, thuhet në një njoftim të policisë.

28 persona janë vënë në pranga në kuadër të operacionit “Shpirti”, ndërkohë 10 persona të tjerë janë vënë në pranga në kuadër të dy operacioneve të tjera. Policia tha se gjatë hetimeve ka sekuestruar në total 6 ton drogë dhe ka sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa miliona Euro. Bëhet fjalë për troje, restorante etj., dhe 4 shoqëri tregtare. Në pranga janë vënë edhe zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe policisë.