Kreu i Partisë Demokratike, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, tha se protesta e djeshme “ia kalon në këto 30 vite çdo proteste tjetër”.
“Si misionarë të vërtetë, në protestën e datës 7 korrik, në përmasat e saj, në frymën dhe mesazhin, e kalon në këto 30 vite, çdo protestë tjetër. Mbrëmë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, të gjithë ata që erdhën nga çdo skaj dhe lagje e Tiranës dhe Shqipërisë, nuk ishin aty për Sali Berishën. Nuk ishin aty thjesht për një protestë. Ishin të gjithë misionarë, njerëz, burra, gra, të rinj dhe të reja në përmbushje të një misioni. Në këtë aspekt, forca e një tubimi madhështor të tillë nuk është e jashtëzakonshme, por është nukleare. Njerëzore nukleare”, tha Berisha.
“Protestuesit nuk dolën në korrik sepse i thërriti një njeri. Ishte një thirrje e brendshme që grumbulloi aty atë masë njerëzish”, shtoi kreu demokrat.
“Misionarët e datës 7 korrik, dërguan mesazhin më vëllazëror shumicës së harruar shqiptare apo shumicës së heshtur. Shumicës që shpërfillet në çdo gjë nga kjo qeveri, që merr çdo vendim pa i pyetur se ekzistojnë, pa u interesuar për interesat e tyre më jetike. Nuk kam parë mesazh më njerëzor, më fisnik, më paqësor se mesazhi që ai tubim misionarësh u dërgoi shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që ndodhen. Atë tubim nuk e ka parë ndonjëherë Tirana në historinë dhe idealet që shpalosi. Në shesh apo në drejtim ishte opozita bio. Opozita komunikonte direkt me misionarët në shesh. Dhe kjo ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ky ishte shkaku pse njerëzit u larguan pa thënë se çfarë do bëjmë, se e dinë se do vijnë prapë. Këto komente kisha unë për ditën e bekuar të 7 korrikut”, u shpreh Berisha.