Është gjetur pas 9 orësh kërkime trupi i pajetë i shoferit 21-vjeçar, Fabjol Ibraliu, i cili pësoi aksident mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnje-Rrogozhinë.
Trupi është gjetur disa metra larg makinës brenda bimësisë së dendur në oborrin e një banese në fshatin Konjat të Lushnjes.
I riu po drejtonte një “Ford”, i cili ka kaluar barrierat anësore dhe është futur brenda oborrit të një banese. Referuar informacioneve paraprake, dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara ka qenë shkaku i aksidentit.
Që prej mbrëmjes së djeshme, forcat policore dhe familjarët kanë zhvilluar kërkime për trupin e 21-vjeçarit, zhdukja e së cilit ishte mister deri para pak minutash.
Kërkimet janë zhvilluar mbrëmjen e djeshme me dritë celulari.
21-vjeçari dërgoi babanë në punë në një pikë karburanti dhe po shkonte edhe vetë në punë.
Për shkak të shpejtësisë 160 km/orë, mjeti doli nga rruga duke u shkatërruar i gjithi.
I riu prej 2 vitesh ishte pajisur me leje drejtimi.