Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në forumin e katërt “17+1” i kryebashkiakëve të vendeve të Europës Lindore e Qendrore dhe Kinës.
Rama e vlerësoi këtë takim me një rëndësi të posaçme sa i përket shkëmbimit të eksperiencave. Kryeministri theksoi se urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije.
“Është një takim me një rëndësi të posaçme. Ky është një forum që krijon një mundësi të rëndësishme për të gjithë administratorët e qyteteve, të familjes së vendeve të 17+1 për të shkëmbyer eksperiencat e tyre. Qeverisja e qyteteve është sfida më e afërt me jetën e përditshme të njerëzve. Në këtë histori ka një potencial të jashtëzakonshëm dijesh. Shumë shpesh, njerëzit e shohin Kinën dhe bashkëpunimin me të si një mundësi për financime, por unë besoj se në radhë të parë urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije dhe përmes të cilës mund të këmbehen eksperienca dhe të transferohen në dije, të cilat më pas kthehen edhe në përfitim për vendet, për qytetet, për komunitetet.
Më vjen shumë mirë që në këtë forum krijohet mundësia për t’u takuar me drejtuesit e kryeqyteteve që ecin në shina të ngjashme me tonën. Kjo është një mundësi e mirë për t’u njohur nga afër me çdo eksperiencë. Besoj se çdo lidhje, çdo urë, që ngrihet sot në funksion të shkëmbimit të eksperiencës të burimeve njerëzore, është një pikënisje për një rrugë të re në rrugën e së nesërmes”, tha Rama.