Entela Resuli
Verën e kaluar, shëtitorja e Dhërmiut ishte në rikonstruksion.
Një pjesë e saj ka përfunduar, rruga për qarkullimin e makinave, ishte ende në fazë punimesh ndërsa pluhuri ishte prezent gjithandej.
Ndërsa duhen edhe një muaj nga çelja e sezonit turistik në Dhërmi nuk ka ndryshuar asgjë.
Kanale të hapur, ndonjë punëtor tek-tuk me lopatë dhe një ekskavator qëndron i heshtur, pranë plazhit me të frekuentuar të jugut.
Nuk dihet se përse punimet ecin kaq ngadalë ose nuk ecin fare, ndërsa sezoni është shumë afër.
Apo punimet do të fillojnë me intensitet të lartë njëherësh me fluksin e frekuentuesve të plazhit?!
Në fakt kjo nuk është çudi. Shpesh, ndodh kështu!
Ndërkohë do të ishte më e lehtë edhe për ata që zbatojnë projektin, të punonin në qetësi, pa prezencën e shumë mjeteve që e frekuentojnë këtë zonë.
Mesa duket, edhe këtë vit, makinat në Dhërmi do të kalojnë nëpërmjet një rruge tërësisht të amortizuar në drejtim të plazhit. “Dita” sjell këto foto ku tregohet qartë se në çfarë gjendje është rruga që të çon drejt plazhit në Dhërmi.