Departamenti Amerikan i Shtetit feston këtë vit 230 vjetorin dhe ambasada amerikane në Tiranë publikoi foton historike të senatorit amerikan John McCain, i cili takohet me ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer me forcat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak.
“Këtë vit, ne festojmë 230 vjetorin e Departamentit të Shtetit. Për më shumë se dy shekuj, Ambasadat, Konsullatat dhe diplomatët tanë në mbarë botën, kanë forcuar partneritetet dhe miqësitë tona, si dhe kanë nxitur zhvillim ekonomik botëror”, theksoi ambasada e SHBA.
Përgjatë këtij viti, vijon ambasada, “ne do të postojmë foto historike që përfaqësojnë diplomacinë e Shteteve të Bashkuara dhe miqësinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.
“Në këtë foto, Senatori amerikan John McCain takohet me ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer me forcat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak”, shton ambasada e SHBA në Tiranë.