Një foto e publikuar nga pedagogia Nevila Xhindi gjatë ditë së djeshme ngjalli shumë reagime në rrjetet sociale derisa personi në fjalë e fshiu foton e postuar.
Në foto ishte studenti i saj dhe njëherësh djali i deputetit socialist Pandeli Majko, Gjergji bashkë me disa student të tjerë që po pozonin me dy gishtat lart.
Në një intervistë për “BalkanWeb”, pedagogia sqaron se u detyrua ta ndërmarrë këtë veprim, pasi komentet dhe reagimet që pasuan pas hedhjes së fotos në rrjet i tejkaluan përmasat, duke u kthyer në presion partiak që rëndonin mbi studentin e saj.
“Është një foto miqësore si rrjedhojë e bisedës me studentët e mi për protestën dhe demokracinë. Ishte finalja e një bisede që ne bëmë. Fotoja ishte krejtësisht miqësore, e bëri Gjergji, nuk ishte për humor. Më vjen mirë që po rritet një brez që mendon më hapur se prindërit e tyre”,- tha ajo.
Pedagogia shton se, Gjergji ishte në dijeni të plotë për publikimin e fotos, ndërsa e ka çuditur reagimi politik i prindërve të tij. Ajo thotë ndër të tjera se ndonëse u komentua shumë, Gjergji nuk i kërkoi të hiqte foton.
“Ajo që më çuditi ishte reagimi i prindërve të Gjergjit, mendoj se kanë dëmtuar djalin e tyre. Ai është një student i shkëlqyer, i hapur. Unë për kortezi, pas presionit të komenteve jo dashamirës e hoqa. E ndjeva presionin që i bëhej Gjergjit, por nuk ishte një kërkesë e tij”,- shton Xhindi.
Pas publikimit të fotos së djalit të tij, me dy gishtat lart, që përshëndeste protestën e opozitës, deputeti Pandeli Majko ka reaguar ashpër, duke e cilësuar se fotoja ishte bërë për humor dhe se është keqinterpretuar.
Ai shkoi deri aty, sa tha se e merrte vetë përgjegjësinë para socialistëve.