Nuk ka dyshim që tragjedia e Turqisë ka prekur gjithë botën.
Imazhet që vijnë nga zonat e tërmetit shkatërrues janë njëra më e dhimbshme se tjetra, sidomos ato që kanë në qendër njeriun, atë të pikëlluarin. Mes tyre, njëra ishte ndër më të trishtuarat: ajo e babait Mesut që mban dorën e vajzës së tij të pa jetë, Irmak, e cila është shtypur nga rrënojat.
Po aq prekëse është edhe fotografia e këtij babai me të bijën tashmë të pajetë gjatë verës së kaluar, ku ata të dy buzëqeshin në një burim uji duke shikuar në objektiv. Të dy duken të lumtur.
Po si u realizua fotoja e trishtë, ajo pas tërmetit, ku babai ka mbetur gjallë e vajza është shuar nën rrënoja e ku ai i mban dorën asaj?
Fotograf për 40 vjet, përfshirë 15 vite në AFP, Adem Altan qëndroi në një moment para një ndërtese të shembur në qytetin Kahramanmaras, epiqendra e tërmetit tragjik. Aty Altan pa një burrë të ulur në rrënoja. Asnjë ekip shpëtimi nuk kishte mbërritur ende në vend të martën, një ditë pas katastrofës, ndaj dhe banorët u përpoqën të pastronin vetë rrënojat për të gjetur dhe shpëtuar të dashurit e tyre.
Burri, i veshur me një xhaketë portokalli, qëndronte i palëvizur midis rrënojave, i pashqetësuar nga shiu dhe i ftohti. Më pas, Adem Altan kuptoi se burri, 60 metra larg tij, mbante një dorë. Ai filloi të fotografojë skenën: babai mbante dorën e fëmijës së tij të vdekur pa e lëshuar, mes rrënojave dhe shkatërrimeve.
Ndërsa Altan fotografonte, burri e shikonte me kujdes. “Bëj foto të fëmijës tim”, pëshpëriti në drejtim të Ademit, me zërin që kërciste dhe i dridhej. I lëshoi dorën që nuk donte ta lëshonte as për një moment për t’i treguar fotografit se ku ishte shtrirë vajza e tij 15-vjeçare. Dhe ai e kapi përsëri dorën e saj. “U përlota. Vazhdova të thosha me vete: O Zot, kjo është dhimbje torturuese”, thotë fotografi. Më pas, ai e pyeti për emrin e tij dhe të fëmijës së tij. “Vajza ime, Ermak”, u përgjigj. “Unë, babai, Mesut Hancher”.
“Fliste me vështirësi, me zë të ulët. Ishte e vështirë t’i bëje më shumë pyetje pasi banorët rreth tij po kërkonin që njerëzit të heshtnin në mënyrë që të dëgjonin zërat e të mbijetuarve të mundshëm të bllokuar nën rrënoja”, tregon fotografi.
Në atë moment ai mendoi menjëherë se imazhi i fiksuar përmbledh dhimbjen e viktimave të tërmetit. Ai nuk e imagjinonte ndikimin që do të kishte.
Fotoja u publikua në shumë media në mbarë botën, u bë virale në rrjetet sociale, u shpërnda qindra mijëra herë nga përdoruesit e internetit.
Altan ka marrë mijëra mesazhe nga e gjithë bota ku shprehet solidaritet përballë pikëllimit të këtij babai nën dhimbje. “Mendoj se është një foto që do të mbetet e skalitur në kujtesë. Shumë më kanë thënë se nuk do ta harrojnë kurrë këtë imazh”, thotë ai. As vetë fotografi.