Jo vetëm një humbje turpëruese, por dhe një pamje po ashtu. Madrilenët humbën 3-0 ndeshjen e kthimit të gysmëfinales së Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, e cila shkon kështu në finale.
Por veç rezultatit, ndeshja ofroi dhe një skenë e cila në pak orë u bë hit në media e rrjete: Luka Modriç tërheq për fanelle Lionel Messin.
Natyrisht, pati shumë komente për faktin se Luka Modriç është shpallur lojtari më i mirë në botë, e kjo skenë nuk ka qenë hiç e denjë për një yll në kulmin e karrierës e suksesit.
Në rrjetet sociale plasi ironia me mesfushorin kroat, i cili nga adhuruesit e Messit dhe Ronaldos akuzohet se nuk e meritonte Topin e Artë 2018, duke ia “vjedhur” njërit prej dy “hyjnive” të futbollit aktual.
“Edhe Modric e di se fanella e Messit është më e çmuar se Topi i Artë”, shkruan dikush në Twitter, ndërsa batutat e hidhura nuk kanë fund.
“Kaq afër i shkon më të mirit Luka Modric”, “Modric duke u munduar të marrë edhe 5 Topa të Artë”, “Modric i kërkon fanellën pa mbaruar ndeshja Messit”, “Modric duke mbrojtur Topin e Artë, por i pesti në renditje është i papërballueshëm për të”, janë disa nga batutat në Twitter, në pritje të duelit të radhës, në fundjavë.