Studentët që janë “revoltuar” kundër sistemit arsimor në universitetet publike, që në nisje të protestës së tyre kanë ditur si të godasin qoftë qeverinë e qoftë individë të veçantë, kryesisht kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.
Teksa protesta është konvertuar në ngujim në fakultete, studentët nuk e kanë humbur aftësinë të “shkëlqejnë” me pankartat e tyre.
Fill pas dorëzimit të Klement Balilit në polici, në muret e fakultetit të Ekonomisë është vendosur një pankarta ku shkruhet “Largoni policinë, Klement Balili nuk studion në FEUT”.
Shprehja pikante e zgjedhur nga studentët, në fakt lindi pas përplasjeve të dhunshme që ata patën me policinë në ambientet e fakultetit, kur për herë të parë tentuan që të bllokonin hyrjen e godinës.
Por, vetëm sot ajo është ngjitur në mur, si për të treguar indinjatën e tyre ndaj qeverisë, pasi studentët kanë ironizuar me faktin se forcat e rendit nuk kapin dot kriminelët, por gjejnë kohën dhe mjetet për të ndaluar ata.