Bota Fotoreporteri shqiptar i Reuters tregon se çfarë po ndodh në kufirin greko-turk

Fotoreporteri shqiptar i Reuters tregon se çfarë po ndodh në kufirin greko-turk

Florion Goga, fotoreporter i Reuters, prej pesë ditësh është i pozicionuar në vijën kufitare që ndan Greqinë me Turqinë, në një përpjekje të vazhdueshme për të fokusuar në “celuloid” pamjet e dhimbshme të fluksit të refugjatëve sirianë, që po tentojnë kalimin në territorin helen.

Goga shprehet për TVT.al se aktualisht ndodhet në zonën e Kastanies, ndërsa dita e tij e punës nis që në orët e para të mëngjesit. Ai, gjendet atje së bashku me kolegë të tjerë, kryesisht të ardhur nga disa vende të ndryshme europiane.

“Fluksi i refugjatëve ka rënë, ndërsa kufiri që ndan dy vendet është shndërruar në një zonë ushtarake, ku policitë përkatëse janë të rreshtuara në dy anët e kufirit”, shprehet ai.

Goga tregon se më shumë tension duket se ka mes policive të dy vendeve, që i ndan vetëm një gardh, se sa një fluks i papërballueshëm për policinë helene.

Ai, mes shumë detajesh, rrëfen edhe një episod shumë interesant, duke u shprehur se sapo policia greke lëshon gaz lotsjellës për të frikësuar emigrantët, në mënyrë të njëjtë vepron edhe policia turke ndaj palës greke.

Flori thotë se nuk ekziston për momentin një situatë emergjente në kufi, pasi fluksi i emigrantëve që tentojnë për të kaluar kufirin grek është në rënie të vazhdueshme.