Ekonomi Fotot dhe detajet/ BSH prezanton dy kartëmonedha të reja

Fotot dhe detajet/ BSH prezanton dy kartëmonedha të reja

Banka e Shqipërisë prezantoi këtë të martë dy kartëmonedha të reja. Bëhet fjalë për kartëmonedhat 1 mijë Lekë dhe 10 mijë Lekë.

“Banka e Shqipërisë prezanton dy kartëmonedha të tjera, pjesë e serisë së re të kartëmonedhave të reja shqiptare, prerjen 1 mijë Lekë dhe 10 mijë Lekë. Kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në prezantimin e këtyre prerjeve të reja.

“Shtypja dhe hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re të prerjes të lartë me vlerë 10 mijë lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave e evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave, shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagave dhe tregues të tjerë që lidhen me tregtimin e parasë”.

Këto dy kartëmonedha do të dalin në treg duke nisur nga 30 qershori.

“Nga 30 Qershori 2021, kartëmonedhat e serisë së re 1 mijë dhe 10 mijë lekë do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të përdoren si mjet pagese së bashku me kartëmonedhat ekzistuese. E riktheksoj, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese”.

Ndërkohë Sejko tha gjithashtu se Banka e Shqipërisë po vijon punën për plotësimin e serisë së re edhe e dy kartëmonedha të tjera të serisë, ato 500 lekë dhe kartëmonedhën 2 mijë lekë, të cilat janë aktualisht në proces prodhimi.

“Kartëmonedhat tona promovojnë trashëgiminë historike kulturore të vendit tonë dhe theksojnë arritje më të mëdha të shumë personaliteteve të shquara të kombit tonë ndër shekuj”, u shpreh ai më tej.

Kartëmonedha 10,000 lekë mbart si tematikë simbolet e Flamurit Kombëtar dhe Himnit, të shoqëruar me portretin e poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Asdreni, për shkak të pranimit mbarëpopullor të Asdrenit si autor i tekstit të “Himnit Kombëtar” të shqiptarëve, një krijim i cili së bashku me Flamurin Kombëtar janë që prej Pavarësisë, simbole identiteti të shqiptarëve.

Si të gjitha prerjet e serisë së re, edhe kjo kartëmonedhë përmban elemente sigurie të avancuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës, të cilat lehtësojnë identifikimin nga publiku, rrisin besueshmërinë tek paraja kombëtare dhe e bëjnë më të vështirë falsifikimin.