Politika Fotot e pajtimit: Edi Rama dhe Ramush Haradinaj lënë pas armiqësinë

Fotot e pajtimit: Edi Rama dhe Ramush Haradinaj lënë pas armiqësinë

Mund të quhet “akt pajtimi” një takim në Kryeministri mes Edi Ramës e Ramush Haradinajt. Ky i fundit ndodhet në Tiranë në krye të një delegacioni të AAK-së, për një vizite pune. Në këtë kuadër, pati dhe një takim në selinë qeveritare me të parin e saj, Edi Ramën.

“Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, tha Haradinaj.

Dy politikanët kanë kaluar një periudhë krize mes tyre, deri në vendimin e Ramës për ta çuar Haradinajn në gjyq për shpifje, gjë nga e cila më pas u tërhoq në shenjë pajtimi. Shkak qe një akuzë e kreut të AAK-së, sipas të cilët Rama qe shpërblyer nga Vuçiç për ndryshimin e kufijve.

Por pikënisja e raportit të prishur mes tyre që një taksë e vënë ndaj Serbisë. Rama qe kundër, duke u përpjekur që ta bindë që ta heqë, meqë këtë ia kërkonin fort dhe ndërkombëtarët, si kusht që Brukseli të hiqte vizat. Por Haradinaj qëndroi fort në të tijën, derisa raportet mes tyre u krisën keq. Ndikim pati dhe kriza e politikës në Tiranë, pasi Haradinaj njihet si i afërt me Metën. Tani, gjithçka është kthyer si në kohërat më të mira.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për media Balla tha se gjatë këtij takimi dy ishin çështjet për të cilat u diskutua në takim, ishin anëtarësimi i Kosovës në NATO, për të cilën Shqipëria do të japin mbështetjen maksimale, si dhe për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, e cila do të afronte edhe më shumë kombin shqiptar.

“E kemi shtrirë bashkëpunimin mes parlamenteve, kemi kaluar në dy nivele të komisioneve dhe grupeve parlamentare.

Është me rëndësi të veçantë për shkak të peshës së rëndësishme që luan ky rol.

Dua dy gjëra ti them të rëndësishme nga takimi. E para ka të bëjë më anëtarësimin e Kosovës në NATO. Haradinaj dhe Tahiri e kanë patur themelore këtë çështje. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Dhe e dyta që dua të nënvizoja është e linjës hekurudhore, Durrës-Prishtinë.

Rama jo vetëm që e ka përqafuar që ditën e parë, po natyrshëm jemi në fazën për të shkuar në fazën e tretë të ndërtimit. Sa më i fortë të jetë bashkëpunimi aq më mirë bëjmë secili prej nesh detyrën”, tha ai.