Politika “Fotot me shqiponjën shqiptare”, Greqia mbledh Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme

“Fotot me shqiponjën shqiptare”, Greqia mbledh Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme

Çështja e rekrutëve me origjinë shqiptare në ushtrinë greke, që pozuan me simbolin e shqiponjës, tashmë ka kaluar edhe në nivel parlamentar në Athinë. “BalkanWeb” ka siguruar ekskluzivisht kërkesën për interpelancë që nënkryetari i partisë më të madhe opozitare “Nea Demokracia”, Adonis Georgiadis ka kërkuar me tre ministra, atë të Mbrojtjes, të Drejtësisë dhe të të Drejtave të Njeriut.

Referuar mediave greke, “BalkanWeb” raporton se kërkesa e tij është pranuar dhe se Parlamenti grek do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Në letrën e tij zyrtari i lartë i opozitës greke, shpreh hapur shqetësimin se prapa gjesteve të rekrutëve shqiptarë fshihet një lëvizje e mirëorganizuar nacionaliste që sipas tij tenton të cënojë rendin dhe sigurinë në Greqi.

Referuar letrës së Georgiadisit, thuhet shprehimisht se “gjesti i ushtarëve të rinj, publikuar në foto me duart e tyre që formonin shqiponjën shqiptare me dy koka është një praktikë që ne si shtet duhet të na detyrojë të investigojmë më thellë, në kërkim të strukturave paralele brenda shtetit. Trajtimi i përkorë dhe i matur i kësaj çështjeje është i domosdoshëm dhe ministritë duhet të hetojnë nëse fenomeni është nxitur nga forca të organizuara, të cilat tejkalojnë ‘mburojat’ nacionaliste dhe përpiqen të cënojnë sigurinë tonë dhe integritetin tonë territorial”, – shkruan numri dy i “Nea Demokracia”-s.

Ai gjithashtu, raporton “BalkanWeb” shprehet se rasti i ushtarëve shqiptarë nuk është një fenomen i izoluar por një përpjekje e përsëritur sipas tij për të destabilizuar Greqinë, duke marrë si shembull ndalimin e dy shoferëve të MPJ-së shqiptarë që transportonin libra dhe abetare me “Shqipërinë e Madhe”.

Ndaj dhe në kërkesën e tij për interpelancë me tre ministra, Gergiadis shton “kërkoj nga ju, çfarë hapash do të merrni për të dhënë përgjegjësitë administrative dhe penale? Sa rekrutë shqiptarë pranohen çdo vit në ushtrinë greke? A keni planifikuar të hetoni nëse veprimet e mësipërme janë të nxitura nga forca të mirëorganizuara?”, – janë pyetjet që ai ka shtruar në kërkesën e tij për interpelancë.

Por ndryshe nga sa pritej dhe referuar praktikave të mëparshme kur ministrat e qeverisë Tsipras kanë refuzuar t’iu përgjigjen menjëherë kërkesa të opozitës kësaj rradhe ka ndodhur ndryshe. Referuar axhendës së punimeve të Parlamentit të Greqisë kjo çështje është futur me urgjencë për seancën e rradhës plenare dhe siç bëjnë të ditur mediat greke të tre ministrat kanë pranuar të përgjigjen edhe zyrtarisht për këtë çështje.

Ky rast dëshmon edhe njëherë se pavarësisht ndasive politike, mazhoranca dhe opozita në Greqi bashkohen sa herë për diskutim shtrohen çështje me karakter nacionalist, veçanërisht në raportet me Shqipërinë dhe Turqinë.