Fotografët të cilët kanë shkrepur disa prej fotove më domethënëse të vitit që po lëmë pas, shpjegojnë për The Guardian se çfarë kanë realizuar.
Funerali për viktimat e Covid në Mumbai
Punonjësit e varrezave, si ky person në foto, kishin një rol të rëndësishëm gjatë funeraleve të viktimave me Covid. Ata ishin të vetmit që mund të ndiqnin ritet e fundit. Kjo, sipas fotografes që ka shkrepur këtë imazh, tregon humanitetin e njerëzve në raste të tilla tragjike.
Njerëzit në pritje në mes të detit
Deti është një nga rrugët më të rrezikshme për emigrantët që kërkojnë të largohen nga Lindja e Mesme. Kjo foto është shkrepur në Lampedusa të Italisë. Emigrantët ndodhen në një varkë druri në mes të detit dhe “udhërrëfyesi” i tyre në ato momente duket Hëna.
Kim Kardashian në Met Gala
Kjo foto e Kim Kardashian, në disa aspekte është humoristike. Por nga ana tjetër tregon se sa e çuditshme mund të jetë bota e të famshmëve. Përgjithësisht femrat vishen në mënyrë elegante, ose për të treguar sensualitet, por në rastin konkret Kim Kardashian kishte zgjedhur t’i habiste të gjithë.
Shtëpia e mbuluar nga hiri
Shpërthimi i vullkanit mund të shkojë deri në këtë pikë, saqë shtëpia të mbushet plot me hi. Kjo nuk ishte e vetmja në Ishujt Kanarie kur shpërtheu vullkani. Megjithatë edhe pse me hi, shtëpia qëndron e fortë.
Murgesha falet me policin në Mianmar
Protesta të shumta pati pas grushtit të shtetit në Mianmar. Me qindra persona, mes tyre edhe fëmijë u vranë nga forcat e sigurisë. Mes protestuesve ishte edhe kjo murgeshë, e cila në këtë rast duket sikur po falet me policët.
Skuadra e varrosjeve
Të shumta kanë qenë vdekjet nga Covid-19 edhe përgjatë vitit 2021. Kjo bëri që shumë shtete të ngrinin skuadra për të varrosur viktimat e infektuar me Covid-19, për shkak se familjarët nuk mund të qëndronin pranë tyre.
Tom Daley dhe thurja
Tom Daley është kampion olimpik. Është kënaqësi të fotografosh atë dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Përgjithësisht nëse nuk është duke u zhytur e gjen duke thurur.
Turma mësyn në Capitol
Mbështetësit e Donald Trump ishin të përgatitur për dhunë gjatë protestave të tyre më 6 Janar. Kjo foto është bërë gjatë përfundimit të trazirave pasi tubuesit kishin hyrë në Kongres.
Sa bukur… një vullkan
Për disa qëndrimi pranë një vullkani të sapo shpërthyer nuk është aspak problem. Kjo foto tregon se si turistët janë mbledhur përreth një krateri për të shikuar llavën që del nga thellësia e tokës.
Momentet e fundit të një gorille të braktisur
Fotoja është shkrepur në Republikën Demokratike të Kongos. Gorilla ngordh në krahët e kujdestarit të saj, i cili e kishte marrë pranë vetes që prej vitit 2007.
Një vajzë e vogël në shtëpinë e dëmtuar në Gaza
Lufta sjell shkatërrim. Pasojat i vuajnë të gjithë, sidomos fëmijët. Vajza në foto quhet Raghad dhe është detyruar që të largohet nga shtëpia për shkak të bombardimeve.
Talebanët lënë armët për t’u falur
Talebanët morën Afganistanin sapo u larguan forcat e NATO-s. Por edhe pse të armatosur gjer në dhëmbë, kur vjen puna tek falja ata lenë armët dhe kryejnë ritet e nevojshme.
Zjarret në Greqi
Banorët e fshatit bregdetar të Roviesit, në Greqi, vajtuan këtë verë humbjen e parajsës së tyre, pyjet me pisha dhe shtëpitë e vogla që u shkrumbuan nga zjarret që zgjatën plot 9 ditë. Fshati, që ndodhet në këmbët e një mali në ishullin Evia, në veri-lindje të Athinës, ka qenë prej kohësh një pikë tërheqëse për grekët dhe turistët e huaj. Zjarret masive i kthyen pyjet dhe kosheret e bletëve në hi, si dhe rrafshuan me dhjetëra shtëpi e dyqane.
Vrasja e Sarah Everard
Vrasja e Sarah Everard nxiti protesta të mëdha në Londër, ndërsa punonjësi i policisë metropolitane të Londrës akuzohet për vrasjen
Zhdukja e Everard ndërkohë që ajo po kthehej në shtëpi në mbrëmjen e 3 marsit solli revoltën e shumë grave, të cilat shprehen për rreziqet e ecjes vetëm në rrugë gjatë natës, si dhe për një dështim të policisë apo të shoqërisë për të menaxhuar këtë çështje.
Policia zbuloi trupin e Sarah Everard më datë 10 mars në një pyll 80 km larg Londrës. Për vrasjen u akuzua Wayne Couzens, një 48-vjeçar pjesë e Policisë Metropolitane të Londrës që nga viti 2018. Kohët e fundit ai shërbente si roje e sigurisë për parlamentin dhe ambasadat e huaja në Londër.
Rasti i Eriksen
E gjithë bota u trondit kur mesfushori Eriksen ra në mes të fushës së futbollit dhe pësoi arrest kardiak. E gjithë vëmendja gjatë Euro 2020 shkoi aty dhe kjo foto tregon dëshpërimin e shokëve të tij të skuadrës, por edhe shpresën se çdo gjë do të bëhet mirë.