Bota Franca do të ashpërsojë kufizimet. Situatë shqetësuese edhe në Gjermani

Franca do të ashpërsojë kufizimet. Situatë shqetësuese edhe në Gjermani

Franca po shkon drejt një ashpërsimi të masave për të frenuar pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, që po merr një drejtim kritik. Rastet pozitive ishin mbi 26 mijë në 24 orët e fundit, shifër në ulje krahasuar me rekordin e një dite më parë kur u shënuan mbi 50 mijë të infektuar.

Megjithatë ajo që shqetëson autoritetet franceze është shtimi i të shtruarve në terapitë intensive. Qeveria paralajmëron për vendime të vështira dhe nuk përjashton një izolim të ri kombëtar.

“E kuptoj që njerëzit janë të lodhur nga koronavirus. Ashtu jam edhe unë. Dëshirojmë që të puthim sërish prindërit pa rrezikuar se mund t’i infektojmë. Duam të festojmë, t’u qeshim fqinjëve tanë, të rikthejmë jetën tonë demokratike në normalitet, por puna është se kemi një virus shumë të rrezikshëm që vret mijëra persona dhe infekton shumë kollaj”, tha ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin.

Situatë shqetësuese edhe në Gjermani, ku niveli i vdekshmërisë është dyfishuar në 24 orët e fundit. Rastet e reja ishin mbi 11 mijë, në rritje krahasuar me ditën e fundit. Situata epidemiologjike mbetet kritike edhe në Republikën Çeke, shteti më i goditur nga virusi në Europë për numër banorësh. Të infektuarit në ditën e fundit ishin mbi 10 mijë. Qeveria do të vendosë gjendjen e shtetrrethimit për të frenuar përhapjen e Covid-19, pasi masat në fuqi nuk sollën rezultatin e shpresuar.

Nga njëri vend në tjetrin, pandemia ka prekur edhe Vatikanin. Ashtu si Pashkët, edhe mesha për Krishtlindje do të mbahet pa praninë e besimtarëve sipas një vendim që pritet të bëhet publik nga Papa Françesku.

Ndërkohë edhe Rusia ka vendosur në fuqi shtet-rrethimin e detyrueshëm nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, si masë drastike për frenimin e përhapjes së koronavirusit.