Gjatë takimit të nivelit të lartë të Nismës Koordinuese Franko-Gjermane që po zhvillohet sot në Berlin, për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, ministri francez për Europën dhe Punët e Jashtme, Jean-Yves Le Drian, njoftoi se Franca ka vendosur ti ribashkohet Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
“Ky është një lajm i shkëlqyer për Ballkanin Perëndimor, RCC dhe bashkëpunimin rajonal. Unë e mirëpres Francën në organizatë dhe e shoh këtë si një mundësi të nevojshme për të punuar bashkarisht për transformimin e vendeve tona në shtetet e ardhshme anëtare të BE-së,” tha sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, e cila do të flasë më vonë gjatë ditës së sotme në takimin e Berlinit, një event që mbledh përfaqësues të BE-së, shtete anëtare të BE-së, autoritete të Bankës Botërore, si edhe përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Franca u tërhoq nga anëtarësia në RCC në 2014-n, dhe vendimi për t’u rikthyer tregon angazhim të fortë për të punuar së bashku me rajonin dhe projektet e reja për transformimin e tij.
“Ky vendim (për t’ju bashkuar RCC) u mor në kuadër të Strategjisë Franceze për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Presidenti i Republikës, prillin e kaluar. Kjo Strategji ndër-ministrore ka për qëllim mbështetje më të fortë për stabilizimin, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe forcimin e shtetit të së drejtës si edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Përveç dimensionit dypalësh, Strategjia Franceze mbështet bashkëpunimin rajonal, një element kyç për pranimin e vendeve të rajonit në BE. Ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e punës së RCC-së, veçanërisht në fushat e investimeve, marrëdhënieve dhe sigurisë”, tha Le Drian në letrën e tij drejtuar RCC-së.
Gjermania dhe Franca e organizuan bashkarisht takimin e dytë të nivelit të lartë të nismës franko-gjermane për kontrollin gjithëpërfshirës të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor. Takimi është bashkë-kryesuar nga ministri Federal gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ministri francez për Europën dhe Punët e Jashtme, Jean-Yves Le Drian, komisionerja Europiane për Punët e Brendëshme, Ylva Johansson dhe komisioneri Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi.