Politika “Franca ka vaksina që nuk i ndan me të tjerët”, ambasada franceze...

“Franca ka vaksina që nuk i ndan me të tjerët”, ambasada franceze reagon ndaj Ramës

Ambasada franceze në Tiranë ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama të bëra më 14 janar në një emision televiziv, ku akuzonte vendet anëtarë të Bashkimit Europian për egoizëm dhe cinizëm.

Në një letër dërguar kryeministrisë më datë 15 janar, ambasada thotë se në deklaratat e kryeministrit ka informacion të pavërtetë.

“Bashkimi Europian është donatori më i madh në Shqipëri me më shumë se 100 milionë euro, në sektorë të ndryshëm. Lidhur me pandeminë, Komisioni Europian njoftoi më 8 janar se portofoli global i BE-se prej 2,3 miliardë dozash nuk ishte vetëm për BE, por edhe për vendet fqinje.

Kryeministri ngriti pyetjen se pse Franca duhet të ketë një stok vaksinash që nuk mund t’i përdorë, në vend që t’i ndajë me të tjerët. Përveç natyrës së pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo ambasadë konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative një vend mik dhe aleat”, thuhet në letër.