Këtë javë Ministri i Francës për Edukimin, Jean-Michel Blanquer lajmëroi se duke filluar që nga viti i ardhshëm shkollor, të gjithë nxënësit e moshave 6 deri në 15 vjeç do të ndalohen të marrin me vete telefonat e tyre gjatë gjithë procesit mësimor në klasë.
Kjo është hera e parë që një shtet ndalon marrjen e telefonave në shkollë në shkallë kombëtare.
Kjo reformë ishte një nga premtimet zgjedhore të presidentit Emmanuele Macron. Edhe më parë, në vitin 2010 nxënësve u ndalua përdorimi i telefonave në klasë, por siç thonë mësuesit ky rregull nuk kishte ndikim real. Pse? Sepse nëse fëmijët do të kenë akses në telefonat e tyre, në një moment të caktuar do të përfundojnë duke i përdorur. Por kjo reformë e re merr masa ekstreme duke mos i lejuar fëmijët t’i mbajnë me vete telefonat e tyre.
“Në ditët e sotme fëmijët nuk luajnë më në kohën e pushimit, por qëndrojnë gjatë gjithë kohës thjesht duke vëzhguar smartfonat e tyre. Dhe nga pikëpamja edukative ky është një problem thelbësor”, tha ministri në deklaratën e tij.
Sipas “The Telegraph”, në kuadër të zbatimit të këtij ligji, fëmijëve nuk do t’ju lejohet akses në telefonat e tyre gjatë orarit të shkollës, duke përfshirë këtu pushimin e drekës edhe pushimet ndërmjet orëve.
Ministri ju referua shumë studimeve që tregonin se përdorimi i telefonave ishte i rrezikshëm për fëmijët dhe tha gjithashtu se shkolla duhet të bëjë pjesën e saj për të ndaluar fëmijët të krijojnë varësi ndaj përdorimit të celularëve. Duke pasur parasysh numrin e fëmijëve që kanë një telefon, mund të jetë e paksa e vështirë të ndalosh gjithë këta fëmijë që të marrin me vete telefonat në shkollë, e veçanërisht në rastet kur prindërit janë të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe mendojnë se telefoni është mënyra më e mirë për të kontaktuar me fëmijët në raste urgjencash.
Gjithsesi z. Blanquer tha se është i gatshëm të bëjë tolerime në rastet kur provohet se telefoni është i nevojshëm për arsye edukative apo sigurie.