Për ditën e dytë radhazi presidenti Emmanuel Macron ka zbritur në dhomën e nëndheshme të Place Beauvau, zyrës së ministrisë së Brendshme për të drejtuar një mbledhje të “celulës së krizës” dhe për të gjetur një rrugëdalje të një situate që duket gjithnjë e më dramatike.
Macron ka denoncuar “shfrytëzimin e papranueshëm të vdekjes së një adoleshenti” dhe ka lajmëruar “masa shtesë” për të ndaluar zjarret, plaçkitjet dhe dhunën që për tre net radhazi po shkatërrojnë qytetet franceze. Dita e djeshme solli edhe viktimën e parë: një 20-vjeçar ra nga çatia e një supermarketi në Normandi.
Apeli
Macron pati edhe një apel “për të gjithë prindërit që të jenë të përgjegjshëm” dhe t’i mbajnë fëmijët në shtëpi. “Është e qartë që situata të cilën po përjetojmë është rezultat i grupeve të organizuara të dhunshme, që po i arrestojmë, por shumë janë të rinj. Një e treta e të arrestuarve dje ishin të shumë të rinj”, tha Macron. Fasha e moshës më të përfaqësuar është mes 14 dhe 18 vjeç.
Protestat
Mbi 994 persona janë arrestuar gjatë natës në Francë, ndërsa protestat e dhunshme për vrasjen e 17-vjeçarit të qëlluar nga policia kanë hyrë në natën e katërt.
Protestat vazhduan deri në mëngjesin e së shtunës, me trazira që shpërthyen në disa qytete, raportojnë mediat franceze, megjithëse situata në përgjithësi dukej më pak e tensionuar se një ditë më parë. Disa dyqane u grabitën në disa qytete ndërkohë që trazirat vijojnë.
Varrimi i të riut Nahel do të bëhet këtë të shtunë në Nanterre në njëfarë “diskrecioni”.
Videot e mediave sociale të skenave në Lyon, treguan të shtëna me armë zjarri nga një pushkë automatike gjatë natës, fishekzjarre që lëshoheshin në protestë dhe demonstrues pranë zjarreve që digjen.
Dhuna
Të premten në mbrëmje ka ndodhur një shpërthim në Portin e Vjetër të Marsejës, por nuk ka pasur viktima. Ndërsa është dëmtuar edhe biblioteka Alcazar në Marsejë, e cila u vandalizua gjatë natës.
Dhuna e vazhdueshme vjen pavarësisht se policia franceze vendosi 45,000 oficerë, njësi speciale, automjete të blinduara dhe helikopterë në të gjithë vendin të premten.
Sipas raportit të fundit nga Ministria e Brendshme, 79 policë janë lënduar gjatë trazirave të natës.
Për sa i përket dëmeve materiale, numëron 2560 zjarre në rrugë publike, 1350 automjete të djegura, 234 objekte të djegura apo të dëmtuara.
Ai vë në dukje gjithashtu se 31 stacione policie, 16 stacione policore bashkiake dhe 11 kazerma të xhandarmërisë janë në shënjestër.