Zinedine Zidane është mes emrave kandidatë për të marrë drejtimin e Brazilit. Të paktën kështu pretendon e përditshmja franceze “L’Equipe”.
Që prej largimit nga Real Madrid në maj 2021, Zidane nuk ka nisur asnjë punë të re, edhe pse është përfolur se mund të drejtojë disa skuadra, mes tyre edhe kombëtaren e Francës, apo Manchester United. Sipas “L’Equipe”, 50-vjeçari shihet si njeriu i duhur për të udhëhequr yjet e Brazilit, të cilët dështuan në Botërorin e fundit, duke u eliminuar në çerekfinale kundër Kroacisë.
Mes emrave të tjerë të përmendur nga gazeta franceze janë edhe Mauricio Pochettino, Thomas Tuchel dhe Rafael Benítez. Zidane ka qenë gjithashtu emri më i lakuar për të pasuar Didier Deschamps në krye të kombëtares franceze, por sipas të gjitha gjasave trajneri me të cilin “Gjelat” fituan Botërorin 2018 nuk do të lëvizë dhe pritet që javën e ardhshme të firmoset rinovimi.
Sipas të gjitha gjasave, Deschamps do të qëndrojë në krye të skuadrës edhe për Euro 2024, e deri në Botërorin 2030. Në këtë rast, Zidane nuk do të priste, por do të zgjidhte një rrugë tjetër në karrierën e tij.
Për francezin ka pasur interesimin nga disa klube të ndryshme, por mbetet për t’u parë nëse do të joshet nga oferta që mund t’i vijë nga “Seleçao”, që kërkon me ngulm të rifitojë Kupën e Botës, trofe që i mungon prej vitit 2022.