Në Itali ideja e përdorimit të certifikatave jeshile si një nxitje për t’u vaksinuar ka shkaktuar protesta. Çekia njoftoi se punonjësit që kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 do të kenë të drejtë për dy ditë pushime me pagesë
Territori i Antileve të Francës, Martinique përballet me një bllokim të ri, dhe shkak është bërë rritja e të infektuarve me COVID-19.
Shërbimet e spitaleve janë të tejmbushura dhe disa pacientë do të transferohen në Paris. Gjithashtu, territori i Oqeanit Indian të Francës, La Reunion do të hyjë në një bllokim të pjesshëm për shkak të një rritjeje të rasteve me koronavirus.
Ekziston një shqetësim në rritje midis zyrtarëve në Paris për këto rajone, ku marrja e vaksinimit është shumë më e ulët se mesatarja mbarëkombëtare.
Itali
Në Itali ideja e përdorimit të certifikatave jeshile si një nxitje për t’u vaksinuar shkaktoi një protestë të anëtarëve të partisë Fratelli d’Italia brenda Parlamentit.
Kur rastet e përditshme të COVID-19 që po rriten sërish, Italia së shpejti do të kërkojë që njerëzit të kenë marrë të paktën një dozë vaksine, të jenë shëruar nga sëmundja në gjashtë muajt e fundit ose të kenë dëshmi të një testi negativ të kryer në 48 orët e fundit për të hyrë në shumë vende publike.
Çekia
Qeveria çeke njoftoi të premten se punonjësit e shtetit që kanë marrë vaksinën e tyre kundër COVID-19 do të kenë të drejtë për dy ditë pushime me pagesë. Kryeministri çek inkurajoi qeveritë rajonale dhe lokale të ndjekin shembullin, si dhe nxiti kompanitë private të inkurajojnë punonjësit e tyre që të marrin vaksinën.
Hyrja në Gjermani vetëm me test negativ
Në Gjermani, kabineti federal ka publikuar rregullore më të rrepta të hyrjes për njerëzit që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 ose të konfirmuar se janë shëruar nga sëmundja. Rregulloret hyjnë në fuqi këtë të diel.
Të gjithë personave mbi 12 vjeç që hyjnë në Gjermani nga jashtë do të kërkohet të paraqesin një rezultat negativ të testit nëse nuk mund të vërtetojnë vaksinimin ose shërimin nga sëmundja. Sipas qeverisë federale, kjo do të zbatohet për hyrjen me të gjitha mjetet e transportit. Me forcimin e këtyre masave, autoritetet gjermane thonë se duan të zvogëlojnë rrezikun e infeksioneve shtesë që vijnë nga udhëtarët.