Shifrat e pakontrollueshme tashmë të rasteve të reja me koronavirus kanë detyruar autoritetet në Francë t’iu rikthehen masave shtrënguese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.
Mbrëmjen e së martës presidenti Emmanuele Macron deklaroi një izolim të dytë kombëtar, i cili parashikon mes të tjerash dhe ndalimin e udhëtimit të qytetarëve midis rajoneve.
Ashtu si në pranverë, lideri francez bëri me dije se masat e reja do të hyjnë në fuqi nga e premtja dhe se njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye madhore dhe shëndetësore.
“Virusi po qarkullon me një shpejtësi që as pesimistët më të mëdhenj nuk e kishin parashikuar”, tha Macron. Ai shtoi se kjo valë e dytë e Covid do të jetë më e fuqishme dhe më vdekjeprurëse se e para.
“Të gjithë jemi në të njëjtën pozitë: të pushtuar nga një valë e dytë që e dimë se do të jetë më e vështirë, më vdekjeprurëse se e para”, tha ai.
Masat e reja do të zgjasin për 8 javë dhe pritet që të ulin numrin e të shtruarve në spitale.
Bizneset jo të domosdoshme, si restorantet dhe baret do të mbyllen.
Të martën, Franca raportoi 523 viktima, numri më i lartë i viktimave në një ditë që prej prillit dhe për këtë arsye autoritetet janë të vendosur të bëjnë gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Në total atje e kanë humbur jetën mbi 35 mijë persona.