Pas një debati të ashpër televiziv mes kandidatëve, përfundoi fushata elektorale në Francë. Vendimi do të merret të dielën – A mundet Macron të ruajë epërsinë e tij në sondazh ndaj populistes së djathtë Marine Le Pen?
Barbara Wesel – DW
Sipas anketimeve të fundit, Emmanuel Macron, ka një epërsi të konsiderueshme – institutet e sondazheve i japin atij rreth dhjetë pikë më shumë se rivales, Marine Le Pen, por kjo nuk do të thotë se këshilltarët e tij duhet të ndihen të sigurt. Rreth një e treta e francezëve nuk kanë vendosur ende se për kë duan të votojnë Lufta për pallatin Elysée po i afrohet fundit.
Debati nuk është vendimtar
Pyetja dominuese para debatit ishte nëse paraqitja e Marine Le Pen-it në debatin televiziv me Emmanuele Macron-in do të ishte po aq skandaloze sa në vitin 2017. Por, siç duket, ajo ndërkohë ka mësuar të paraqitet më mirë në publik, formulimet ishin të zbutura dhe ishte shumë më e përgatitur ndaj sulmeve verbale gjatë replikave.
Në debat u cekën thuajse të gjitha temat: nga politika sociale, reforma e pensioneve, Rusia dhe lufta e saj në Ukrainë, e deri te mjedisi dhe ndalimi i shamisë. Siç pritej, Macron ishte i detajuar dhe mundi të bënte ca goditje të forta në adresë të Le Pen-it. Ai e akuzoi atë për lidhjet financiare të partisë së saj me donatorë rusë, dhe e quajti të varur nga Rusia.
Ai denoncoi gjithashtu idetë konfuze të Le Pen-it për politikën mjedisore. Për shembull, për planin e saj për të çmontuar turbinat me erë, sepse prishin peizazhin. Nëse është kundër energjisë së rinovueshme, atëherë nga duhet të vijë energjia elektrike, pyeti Macron-i, i nevrikosur dukshëm.
Presidenti aktual denoncoi edhe idetë e saj për kufizimin e çmimeve të energjisë, duke i quajtur të padrejta dhe jo të praktikueshme. Dhe ai fitoi pikë në debat kur erdhi fjala te ndalimi i shamisë së kokës, siç planifikon Le Pen: Franca do të ishte kështu i vetmi vend në botë që ndalon mbajtjen e simboleve fetare. Dhe kjo do të çonte në luftë civile, tha Macron-i.
Marrëdhënia e saj me Rusinë është një nga dobësitë më të mëdha të Le Pen
Marine Le Pen u përqendrua në projektet e saj sociale dhe foli për një rritje të varfërisë në Francë gjatë mandatit të Macron-it. Ajo u premtoi të gjithëve: pensionistëve, punëtorëve me paga të ulëta, studentëve, familjeve, se do të kenë më shumë para në xhepat e tyre: ose përmes ndihmës, ose përmes uljes së taksave. Ky premtim u pëlqen shumë francezëve, të cilët gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore ishin ankuar për rënien e fuqisë blerëse si shqetësimin e tyre numër një. Cili votues rri e përllogarit se si mund të financohet kjo bamirësi?
Në fund, Emmanuel Macron ishte fituesi, siç u konfirmua nga 59 për qind e të anketuarve, por ndër vëzhgues ekziston konsensusi se kësi debatesh nuk janë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. “Është një lloj miti”, thotë politologia Ariane Bogain nga Universiteti Northumbria në një intervistë me Kanalin ‘France 24’. “Ky është vetëm njëri ndër shumë faktorë”.
Le Pen-i nuk humbi në vitin 2017 për shkak të debatit të saj skandaloz, por sepse ajo krijoi përshtypjen se ishte jo kompetente.
Bernard Sananes nga instituti i sondazheve Elabe, thotë se të dy kandidatët shfaqën nga një dobësi të madhe: “Çdo i dyti shikues e gjeti Emmanuel Macron arrogant. Ndërsa gjysma e tyre e quajnë Marine Le Pen-in të lodhshme”. Shumë votues të rinj nuk duan kurrsesi as Macron-in dhe as Le Pen-in.
Lufta për votat e së majtës
Problemi më i madh i Emmanuel Macron është suksesi i tij në shtypjen e partive tradicionale franceze. Edhe pesë vjet më vonë, as konservatorët tradicionalë dhe as ish-socialistët nuk e kanë marrë veten nga goditja për vdekje. Në raundin e parë, të gjithë ata dolën me rezultate njëshifrore, dhe nuk dhanë gjë tjetër veçse një rezervuar votash për raundin e 2-të.
Ndërkohë, artistët, sindikalistët dhe ish-presidentët, Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy, i kanë bërë thirrje elektoratit të tyre që të votojnë për Emmanuel Macron. Por ata nuk kanë legjione politike nga pas.
I vetmi rezervuar i votave që ia vlen të merret në konsideratë, me afro 22 për qind, është ai i votuesve të të majtit të vjetër Jean-Luc Mélenchon, i cili pothuajse arriti të zmbrapste Le Pen-in nga vendi i dytë. Por këta mbështetës të socializmit, si dikur në RDGJ, e kanë veçanërisht të vështirë të vendosin mes Macron dhe Le Pen në balotazh.
Në mbrëmjen e zgjedhjeve, Mélenchon kishte bërë thirrje që në balotazh të “mos i jepej asnjë votë të djathtës”. Por ai nuk tha se kujt t’i jepej vota dhe mbështetësit e tij janë në dilemë: Sipas sondazheve të fundit, vetëm 33 për qind e tyre donin të votonin për Macron-in, shumica do të abstenonte. Christophe Castaner, kreu i grupit parlamentar të Macron, i paralajmëroi të pavendosurit: “Të mos bësh zgjedhje është si të luash ruletë ruse”.
Macron ka nevojë për çdo votë për të mundur Le Penin në balotazh
Si Marine Le Pen ashtu edhe Emmanuel Macron po luftojnë për të njëjtin grup votuesish, thotë Ariane Bogain: “Macron ka bërë një lëvizje të qartë nga e majta, kjo ishte e zgjuar sepse konservatorët dolën shumë keq”. Kjo mund të shihet qartë në reformën e pensioneve apo politikën mjedisore. “Por faktori vendimtar do të jetë numri i jovotuesve dhe i abstenimeve. Dhe jo vetëm sasia e tyre, por edhe cilësia e tyre.”
A mundet Macron të rishikojë idenë e vjetër të kordonit sanitar, i cili dikur përjashtonte ekstremistët e krahut të djathtë nga qeveria? A mund të mbledhë ai mjaft votues të krahut të majtë, që megjithëse të pakënaqur, sërish ta vënë kryqin te Macroni? Këto janë pyetjet që do të vendosin për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.
Për Evropën dhe NATO-n, Le Pen përbën kërcënim
Vetëm kur shikon përtej pjesës socio-politike të projektit të Marine Le Pen, thelbin e vërtetë të programit të partisë së saj, Rassemblement National, bëhet e qartë, se pas fasadës së moderuar qëndrojnë akoma planet ekstremiste djathtiste, ose së pak u plane populiste djathtiste. Zgjedhja e saj mund t’i sjellë Evropës goditjen vdekjeprurëse: Nga politika ekonomike, te migrimi e deri te njohja e ligjit të BE-së, qëndrimet e saj janë diametralisht të kundërta me BE-në ekzistuese. Planet e saj devijojnë aq shumë nga konsensusi aktual, saqë Franca, si vendi i dytë më i madh anëtar, mund të shpërbënte Bashkimin Evropian.
Politika e përbashkët ndaj Rusisë dhe Ukrainës gjithashtu do të merrte fund shpejt. Dhe pasojat ushtarake për të ardhmen e NATO-s do të ishin dramatike – Franca është e vetmja fuqi ushtarake e besueshme në Evropë. Në debatin e së mërkurës, Le Pen tha se nuk ishte kundër Evropës, por se donte një Evropë të ndryshuar. “Evropa është si një shtëpi në pronësi të përbashkët”, u përgjigj Macron. “Atë nuk mund ta ndryshojë një shtet i vetëm”.
Të dielën votuesit e Francës duhet të bëjnë zgjedhjen:Nga njëra anë është Macron, një politikan i moderuar reformist, i cili, pavarësisht rrethanave të vështira, mund të dëshmojë një bilanc jo të keq në përfundim të mandatit të tij të parë. Por që ka një pikë të dobët që nuk e heq dot lehtë: namin e të qenit arrogant, dhe të qenit larg qytetarëve. Përballë tij është një politikane pa pikë përvoje në qeverisje, e cila dëshiron ta udhëheqë Francën në një rrugë të pashkelur drejt izolimit nacionalist, pasojat e të cilit janë të pallogaritshme. “Faites vos jeux” – “Luani lojën tuaj”, thotë kruperi në ruletën e kazinosë në raste të tilla.