Futbolli dhe financat janë gjithnjë e më të ndërthurura mes tyre. Paratë që qarkullojnë në këtë disiplinë sportive janë në shifra marramendëse, siç është rasti i pagesave të lojtarëve e trajnerëve.
Revista prestigjioze “France Football” ka përpiluar një klasifikim të 5 futbollistëve e teknikëve më të paguar në botë, duke u bazuar te pagat që ata marrin nga klubet, shpërblimet dhe të ardhurat e tjera.
Sipas kësaj reviste, futbollisti më i paguar në botë është Lionel Messi, me kapitenin e Barcelonës që përfiton 130 milionë euro, duke lënë pas në vendin e dytë rivalin e tij, Cristiano Ronaldo.
Ylli portugez i Juventusit, që paguhet më shumë në krahasim me vitin e kaluar, përfiton 113 milionë euro, ndërkohë që podiumin e plotëson braziliani i Paris Saint-Germainit, Neymar, me 91.5 milionë euro, i ndjekur nga Antoine Griezmann dhe Gareth Bale.
Sa u përket trajnerëve, kampion në financa është ai i Atleticos së Madridit, Diego Simeone, me 41 milionë euro. Pas tij qëndron Jose Mourinho, tashmë i shkarkuar nga Manchester United, me 31 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë është një tjetër teknik i shkarkuar, Thierry Henry, i cili qëndroi vetëm 3 muaj në stolin e Monacos, duke përfituar 25.5 milionë euro.
Pas francezit renditen Pep Guardiola i Manchester City dhe Ernesto Valverde i Barcelonës.