Përplasje janë shënuar sërish, këtë herë në mbarë Francën gjatë së shtunës, teksa rreth 84 mijë demonstrues të mbiquajtur tashmë “jelekverdhë” dolën nëpër rrugët e vendit për të dhjetën fundjavë radhazi, në protestat kundër qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.
Demonstratat kaluan kryesisht të qeta në Paris, ku ishin mbledhur rreth 7.000 vetë, edhe pse reporterë të “Reuters”-it kanë xhiruar disa përplasje të lehta mes policisë dhe demonstruesve, disa prej të cilëve edhe me maska, në zonën “Invalides” të kryeqytetit francez.
Protestuesit hodhën fishekzjarre, shishe dhe gurë drejt policisë, me këtë të fundit që u kundëpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i zmbrapsur. “Macron, dorëhiqu!” ishte thirrja e disa prej protestuesve.
Protestat e “jelekverdhëve”, që morën këtë emër pikërisht prej jelekëve të verdhë që drejtuesit e mjeteve duhet të mbajnë me detyrim në automjetet e tyre, nisën në nëntor me në fokus kundërshtinë ndaj rritjes së planifikuar të taksave të karburantit.
Edhe pse rritja e planifikuar u anulua si pasojë e protestave që u kthyen edhe të dhunshme, lëvizja në fjalë vijon ende me protesta mbarëkombëtare kundër qeverisë së Macronit, me justifikimin tashmë të irritimit të përgjithshëm mbi koston e lartë të jetesës dhe shumë taksave të tjera.
Në Paris, disa demonstrues mbanin arkivolë të sajuar, për të simbolizuar 10 personat që kanë humbur jetën gjatë protestave, kryesisht për shkak të aksidenteve që vinin si pasojë e bllokimit të rrugëve prej demonstruesve.
Demonstratat e dhjetorit shënuan edhe disa nga rastet më të dhunshme që Parisi nuk i kishte parë ndër dekada, me dhunuesit që dogjën makina dhe vandalizuan dyqane e gjithçka gjenin përpara.
Megjithatë, protestat e këtij muaji në Paris nuk kanë qenë me doza kaq të larta shqetësimi, me përjashtim të një rasti kur një ish-kampion francez boksi nisi të godiste një polic në kryeqytet, duke tronditur shumëkënd.