Nga Ben Blushi
Frederik Ndocin e gjeta në një kafe. Po fliste me gruan në skype.
Ja, më tha, kjo është gruaja ime e fundit,
Është e pesta, thashë unë
Është e fundit, tha Frederiku
E beson që je e fundit, pyeta gruan
Se merr njeri Rikun pas meje, tha gruaja
Pse të thotë Rik, pyeta Frederikun
Edhe Rri dhe Ik, tha Frederiku, dmth bëj çtë duash
Kur ke ardhur, i thashë
Kam 70 ditë në Tiranë, tha
Çbën këtu?
Po pres të më japin një dekoratë tha Riku, më thanë hajde urgjent
Po ç’është kjo urgjencë 70 ditë, e pyeta
Procedurat, tha Riku, kam bërë një dosje të plotë ja shife
Nuk me duhet dosja, a ke bërë ndonjë këngë?
Kam bërë, tha Riku
Si quhet, i thashë
Kënga e Pijes,
Ma këndo, i thashë
Dikush pin për me kthye shnetin
Dikush pin se asht mësu
Dikush pin me çel bisedën
Dikush pak me e provu
Po ti për çfarë pi, e pyeta,
Unë pi për të çel bisedën, tha Riku
Sa këngë ke bërë gjithsej?
400, janë të orkestruara
Kush ka më shumë këngë se ty?
Askush, tha Riku, a e di ça më thoshte Robert Radoja?
Ma thuaj, i thashë
Berti më thoshte që kur të vdesësh do harrohesh shpejt sepse askush nuk i këndon dot këngët e tua pasi zëri yt është i pazëvendësueshëm.
Po ti je fetar, a beson te jeta pas vdekjes?
Besoj sigurisht, tha Riku
Po ty kush të ka krijuar prindërit apo Zoti?
Materien dmth trupin, ma kanë krijuar prindërit, kurse shpirtin ma ka dhënë Zoti, tha Riku
Ku jeton në Amerikë, e pyeta
Në Tampa Bay, tha Riku
Herën e fundit që jemi takuar jetoje në New Jork
New Jorku u bë i pajetueshëm nga covidi
Pse të zuri covidi, e pyeta
Covidi nuk ekziston, tha Riku
Mua më kanë vdekur shokë nga covidi, thashë unë
Është sajesë e Iluminatit, tha Riku, më beso
Po pse e sajoi Iluminati covidin ça thua kështu, i thashë
Për të zvogëluar botën. Plani i tyre është që bota të ketë 600 milion banorë
Dmth do vdesin nja 8 miliard të tjerë po thua?
Po tha Riku, pas covidit do kontaminojnë ujin do shofësh çfarë do ndodhë
Po çfarë interesi ka Iluminati që vret njerëz, a nuk i duhet fuqi punëtore bizneseve të tyre?
Kanë shpikur robotët që zëvendësojnë njerëzit dhe nuk kanë pse paguajnë pensione dhe mbajnë miliarda me ushqime. Ata duan ti zhdukin të varfërit
Kush janë Iluminati, pyeta
Janë të majtët, Morgan, Rokfeler, Rothshild, këta janë ata që kërkojnë New Order
Unë nuk i besoj këto gjëra, i thashë, por ndoshta bota ka nevojë për një New Order, për një Reset
Ja dhe ti je si këta, tha Riku, dikur kam pasur besim te ty, bëre dhe një parti shumë të mirë pastaj shkove prapë me këta
Po si mund të besoj se covidi u sajua për të vrarë njerëz, i thashë
Po tha Riku, covidi shpërndahet me dron nga ajri
Ku janë këta dron, s’kam parë gjë?
Dalin natën, tha Riku, hedhin pluhur mbi qytete
Rik a ka njeri që frenon Iluminatin?
Vetëm një njeri mund ti frenojë, tha Riku
Kush, pyeta unë
Donald Trump, tha Riku
Trump i humbi zgjedhjet, thashë unë
Ja vodhën, 82 për qind e Amerikës votoi për të
Ça thua, i thashë, edhe ti beson që zgjedhjet në Amerikë vidhen?
Unë kam fakte tha Riku, unë jam Trump Team, ata ndryshuan fletët e votimit në shumicën e shteteve
E ti më thua pse e le partinë, kur i vjedhin votat Trumpit po mua si nuk mi vjedhin?
A e di kush ia vodhi votat Donaldit?
Kush, e pyeta
Vatikani, tha Riku
Rik, i thashë, je dhe katolik si mund të thuash që Vatikani vjedh vota
Po, sepse Papa është me Iluminatin dhe hakerat e Vatikanit vodhën votat në Amerikë, po ju këtu në Evropë nuk keni informacion.
Sipas teje fiton prapë Trump?
Qind për qind, tha Riku
E çfarë ndodh nëse fiton?
Do ketë luftë, tha Riku
Prapë luftë, e pyeta unë
Do jetë ndeshja finale mes Iluminatit dhe Templarëve, të majtët janë Iluminati, Trumpi përfaqëson Templarët.
Akoma me këto histori prej një mijë vitesh, ça thua kështu Rik
Është betejë e madhe, tha Riku, a e di që këta luftojnë për sekretet e Mbretit Solomon?
Çfarë sekretesh kishte Mbreti Solomon?
Solomoni kishte sekretin e pavdekësisë, tha Riku
Edhe ti beson që dikush e ka formulën e pavdekësisë?
Ore shif Soros nuk po vdes akoma, është kthyer në dinozaur
A je vaksinuar, e pyeta.
Unë jam antivax, tha Riku
Si mund të jesh kundër vaksinës, atë e provon shkenca, thashë unë
Ma jep numrin e vaksinës të të them nga çfarë sëmundje do vuash sepse bashkë me vaksinën të kanë futur sëmundje në trup.
Kur do ikësh në Amerikë, e pyeta
Këto ditë, tha Riku
Nuk do e presësh dekoratën e Presidentit?
Nuk e di a do ma japin, edhe këtu drejton Iluminati
Po ç’i duhemi ne Iluminatit, Shqipëria është shumë e vogël, thashë unë
A e ke parë flamurin tonë, tha Riku
Natyrisht që e kam parë,
Ato dy kokat e shqiponjës me gjuhë jashtë janë gjarpërinj, është simbol i Iluminatit
Po pse Iluminati e vuri simbolin e vet te flamuri jonë dhe nuk e vuri te flamuri italian apo francez, ça thua kështu, ai është simbol bizantin, thashë unë.
E ke gabim, tha Riku, edhe perandoria osmane ishte krijesë e Iluminatit
Do bëjmë ca fotografi, e pyeta
Bëjmë, tha Riku, por do nxjerrësh dy simbolet e mia
Kush janë simbolet e tua, e pyeta
Kryqi në vesh dhe kapelja në kokë, tha Riku, njëra më bën katolik tjetra gentleman
Do ti nxjerr, thashë unë
Mos harro të më çosh numrin e vaksinës të të them nga se do vdesësh, tha Riku
Nuk dua ta di, thashë unë
Mirë tha Riku, nëse ndonjëherë bëhesh kurioz, më merr në telefon.