Demokracia shqiptare është pjesërisht e lirë. Ky është vlerësimi i dhënë së fundmi nga raporti i Freedom House mbi gjendjen e demokracisë në botë. Në raportin e fundit të organizatës amerikane “Freedom House”, Shqipëria ka humbur pikë në cilësinë e qeverisjes demokratike, duke u çmuar me 67 nga 68 pikë të marra vitin e kaluar. Nën nënkategoritë e procesit elektoral, pluralizmit a pjesëmarrjes politike dhe qeverisë funksionale, vendi siguron 27 nga 40 pikë në total, ndërsa liritë e të shprehurit dhe besimit, të drejtat e organizimit, sundimi i ligjit dhe të drejtat individuale vlerësohen me 40 nga 60 pikë në total.
“Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend. Opozita doli nga parlamenti, e bojkotoi dhe dorëzoi mandatet. Efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa Antishpifje, të shqyrtohen e sfidohen si duhet”, deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës, Noa Bujon, koordinator i studimit për Evropën dhe Euroazinë.
Sipas ekspertit, opozita duhet të luajë një rol më aktiv në qeverisje, edhe pse nuk është në pushtet, ndërsa e gjithë shoqëria dhe ekzekutivi duhet të bëjnë më shumë në luftën kundër korrupsionit. “Shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kanë pasur probleme në këtë drejtim. Ne jemi veçanërisht të përqendruar tek masat për të luftuar korrupsionin, të cilat në Shqipëri dhe vende të tjera kanë munguar. Shpesh ato gjyqe që bëhen për raste korrupsioni të profilit të lartë, bëhen për arsye politike dhe jo për të vënë drejtësinë në vend. Korrupsioni si në nivele të larta, edhe të ulëta shpesh nuk hetohet dhe nuk ndiqet penalisht. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një sfidë e përhapur, pra nuk po shohim atë nivel përparimi që duam të shohim për këto çështje. Kjo vazhdon të mbetet një pike kyçe në përpjekjet e disa prej këtyre vendeve për të hapur bisedimet me Bashkimin Europian”, shpjegon analisti i Freedom House.
Më tej ai theksoi se u regjistrua një rënie e lehtë në cilësinë e qeverisjes demokratike në Shqipëri në vitin 2019. Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend. “Opozita doli nga parlamenti, e bojkotoi dhe dorëzoi mandatet. Në këto kushte zgjedhjet lokale u mbajtën nën hijen e këtij zhvillimi në qershor, të cilat opozita i bojkotoi duke sjellë si rezultat fitoren e partisë në pushtet në një numër bashkish dhe komunash në gjithë vendin. Si rezultat i këtyre prirjeve, efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe ne jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa Antishpifje që të shqyrtohen dhe sfidohen ashtu siç duhet”, thekson Bujon.
Në Ballkanin Perëndimor, përmirësime shënuan vitin e kaluar Kosova me 2 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 4 pikë, ndërsa Mali i Zi e Serbia shënuan rënie dhe Bosnjë-Hercegovina mbeti në vend.
“Kosova ishte një nga dy vendet e rajonit, që shënoi përmirësim në radhitje, falë faktit që dy parti opozitare – Vetëvendosja dhe LDK-ja – fituan zgjedhjet dhe ato rrjedhimisht formuan qeverinë, megjithëse u desh një farë kohe. Gjithashtu ne përmirësuam vlerësimin për lirinë e lëvizjes brenda vendit, sepse sipas analizës sonë skema e integruar e dokumenteve të identifikimit, fakti që Serbët e Kosovës po përdorin targa të vendit, janë prova për një nivel të caktuar lirie lëvizjeje në vend. Kufijtë ndërkombëtarë vazhdojnë të kenë më pak qasje për qytetarët”, shprehet Bujon.
Në nivel global, Freedom House vlerëson se demokracitë e konsoliduara janë në rënie, ndërsa bota për të 14-in vit radhazi përjetoi përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile.
Tre vendet më të lira në botë konsiderohet ato nordike, Finlanda, Suedia dhe Norvegjia, ndërsa demokracia më e dobët ajo e Sirisë.