Në emisionin “I Ftuari” në A2, Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, George Frendo foli edhe për fenomenin që ka vënë në siklet edhe Papa Françeskun.
Çështjen e pedofilisë, me të cilën përballet Kisha Katolike, një fenomen i dënueshëm dhe që cenon shtresën më vulnerabël që janë fëmijët.
Fillimisht për këtë çështje, ai u shpreh se shtypi e ka fryrë këtë problem. “Janë përmendur mëkate, jo vetëm vitet e fundit, por në 50 vitet e fundit. Por pedofilia nuk është vetëm një fenomen i Kishës Katolike. Shumë persona me pozitë të lartë janë përmendur vitet e fundit për pedofili”.
George Frendo theksoi se në Shqipëri nuk janë evidentuar raste pedofilie nga priftërinjtë.
“Nuk ka raste pedofilie të evidentuara në Shqipëri nga priftërinjtë. Ndoshta kur kanë filluar të dalin në pah këto raste, ka qenë edhe një qortim. Por nuk duhet të mendojmë se është një fenomen i Klerik Katolik”, tha numri 1 i Kishës Katolike në vendin tonë.
Më tej, Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, George Frendo, u shpreh se Kisha Katolike nuk është kundër homoseksualëve, por është kundër martesave të të njëjtit seks. Ai tha se kisha është kundër abortit, sepse jeta ngjizet në embrion.
Ndër të tjera, George Frendo foli edhe për të shkuarën e Kishës Katolike shqiptare.
Teksa foli për periudhën komuniste në vendin tonë, George Frendo u shpreh se për Enver Hoxhën katolikët ishin spiunët e Vatikanit. Më tej ai thotë se komunizmi deshi të vriste Zotin!
“Të vrarët nga komunizmi ka qenë më shumë se 38. Ndoshta këta kanë pasur një rol më të rëndësishëm, dëshmia e tyre më e qartë më e fortë. Kisha katolike ka qenë më e urryera nga Enver Hoxha. Në një nga fjalimet e tij, ai thotë se me Kishën Katolike ka pasur shumë problem të pranonin regjimin komunist, pasi sipas tij, katolikët ishin spiunët e Vatikanit. Ky ishte fiksimi i tij. Ai thotë se klerikët katolikë ishin edukuar në vende perëndimore. Në një libër, origjinali në frëngjisht, por që është përkthyer edhe në italisht me titull: Kanë dashur ta vrisnin Zotin. Në fakt ky ishte edhe komunizmi i Enver Hoxhës”, u shpreh George Frendo.