Freskida Halilaj do të drejtojë kompaninë shtetërore të prodhimit të dokumenteve biometrike “IdentiTek”. Ajo u prezantua në krye të këtij institucioni nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në prani të stafit të kompanisë dhe Këshillit Mbikëqyrës.
Sipas ministrit, drejtuesja e re do të çojë përpara projektet e nisura, ku ndër më kryesorët është Identiteti Digjital për Shtetasit Shqiptarë.
Historia e prodhimit të dokumenteve biometrike në Shqipëri daton në maj 2009. Kompania koncesionare ushtroi aktivitetin deri në mesin e vitit 2023, kur përfundoi kontrata dhe qeveria vendosi të krijonte kompaninë shtetërore.
Pas gushtit 2023, stafetën e mori “IdentiTek”, shoqëri me kapital shtetëror.
Kompania prodhon karta identiteti e pasaporta biometrike për shtetas shqiptarë, por njëherësh edhe pasaporta diplomatike e shërbimi. Ajo prodhon gjithashtu dokumente udhëtimi, leje qëndrimi dhe letërnjoftim elektronik enkas për shtetasit e huaj me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose që kanë fituar statusin e refugjatit e kanë përfituar azil në Shqipëri.