Kryesore Frika nga sekuestrimet, a po krijon “Vjeshta 2017” një vrull shitjesh të...

Frika nga sekuestrimet, a po krijon “Vjeshta 2017” një vrull shitjesh të makinave luksoze?

Aksioni i fundit i Policisë së Shtetit që ka vënë në shënjestër krimin ekonomiko-financiar, ka shkaktuar panik mes pronarëve të automjeteve luksoze, të cilët nuk mund të justifikojnë blerjen.

Në një vëzhgim të tregut të shitblerjeve të automjeteve online, SCAN ka konstatuar se ka një rritje të pazakontë të njoftimeve për shitjen e makinave me vlera të mëdha.

Bëhet fjalë për automjete që i kalojnë 10 mijë euro në vlerë: modele kryesisht të pas vitit 2010, të markave si Mercedes-Benz apo Audi.

Modele të ngjashme në çmim dhe vit prodhimi me ato të sekuestruara nga Policia javët e fundit.

Edhe pse është e ditur që në vendin tonë qarkullojnë shumë automjete të reja, flota në të gjithë vendin përfshin kryesisht vetura të cilat i kalojnë 12-13 vjet vjetërsi.

Prandaj vihet re qartë që ka një disproporcion mes makinave në qarkullim dhe atyre në shitje.

Të pyetur nga “SCAN”, portali ‘Ikub.al’ tha se makinat luksoze qëndrojnë në një raport 40 për qind kundrejt llojeve të makinave të tjera, që ‘kryesojnë’ me 60 për qind.

Përsa i përket faktit se a po dominojnë automjetet e shtrenjta tregun e shit-blerjeve, ‘100oferta.com’, i vendos ato në raportin 30 për qind, përkundrejt makinave të tjera.

Portali tregon se kjo ka ardhur edhe si kërkesë e tregut, pasi shqiptarët së fundmi po kërkojnë për të blerë makina çmimi i të cilave varion nga 6000-7000 euro. Po ashtu, ato preferojnë më së shumti automjete që janë prodhuar 7-8 vitet e fundit.

Gjithashtu në një portal tjetër vumë re se mbi 50 makina me çmim nga 10 -32 mijë euro janë shtuar vetëm kohët e fundit në listën e njoftimeve.