Nuk deklaruan listë-pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të lojtarëve, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq ‘Klubin e Futbollit Tirana’ dhe administratorin Refik Halili.
Ai akuzohet për fshehje të të ardhurave për vitet 2014, 2015, 2016. Ky klub ka pasur te federuara 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016.
Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listë-pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit.
Prokuroria thotë se fshehja e të ardhurave ka ndodhur në vlerën totale të rreth 52 milion lekëve, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.