Në botën e futbollit dëgjojmë të përdoret shpesh “shahu”, për ato ndeshje të forta ku trajnerët luajnë me kujdes. Gjithsesi në rastin konkret kemi të bëjmë me lojën tjetër “damë”, madje me detyrim përcaktim. Këtë lojë po e luan Federata Shqiptare e Futbollit me tifozët shqiptarë.
Një vendim absurd i marrë, që për të parë ndeshjen me Francën duhet të blesh biletë edhe për sfidën me Andorrën. Jo vetëm kaq, por e ccdokush e ka të përcaktuar edhe sektorin ku do ta blejë biletën. Gjetje shqiptare, që FSHF-së i shkakton një tjetër dëm në imazh. Vetëm e vetëm për disa miliona nga shitja e biletave për sfidën me Andorrën.
Sigurisht shqiptarët duan të mos e humbin ndeshjen e parë të kombëtares në “Arena Kombëtare”. Vjen Franca, stadium i ri dhe modern dhe shumëkush do të jetë pjesë e spektaklit të 17 nëntorit. Gjithsesi duhet që shumica prej tyre të paguajnë gjobën e vendosur nga FSHF, me vendimin që në faqen zyrtare të institucionit nuk kanë guximin ta nxjerrin.
Gjoba minimale është 500 lekë, për të shkuar deri në 2000 lekë. Në rrjetet sociale janë të shumtë tifozët që e kanë denoncuar diçka të tillë. Mediat gjithashtu nuk janë pajtuar dhe e kanë vënë në dukje absurditetin e vendimit të FSHF-së. E sigurt që shumica e tifozëve, edhe pse të detyruar të blejnë bileta, as do e marrin mundimin të shkojnë ta shikojnë Shqipëri-Andorrë. Federatës në fund le t’i rrojnë milionat…