‘Plisat’, tifogrupi nga Prishtina nuk do jenë prezent në ‘Air Albania’ për ndeshjen kundër Ishujve Faroe, këtë mbrëmje më 20:45 në Tiranë. Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit nuk i ka akorduar biletat për grupin, kjo siç ndodh në çdo duel për ultrasit e kuqezinjve.
Vetë tifogrupi ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku thekson se ata do të jenë gjithmonë në mbështetje të Kombëtare shqiptare, pavarësisht gjithçkaje, ndërsa nuk japin një arsye të qartë pse FSHF nuk iu ka dhënë bileta.
“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta.
Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES.
Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.
Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.
Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira.
Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI.
Shihemi në Gjermani!”