Asnjë politikan në garën për kreun e Federatës së Futbollit, madje as figura që kanë lidhje me sportin, por nuk jetojnë në Shqipëri. Këto janë dy ndryshimet më thelbësore në statutin e FSHF-së, të realizuara në Asamblenë e Jashtëzakonshme, që u zhvillua online për shkak të pandemisë dhe ku votimi u krye në mënyrë elektronike.
Në Nenin 32, ku parashikohen rregullat për zgjedhjen e presidentit, anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, apo kryetarëve të komisioneve të pavarura, janë përfshirë dy kushte të debatueshme.
Në pikën a) kandidatët për këto poste duhet “të jenë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri”. Një kusht që menjëherë përjashton nga gara një figurë si Igli Tare, me drejtorin sportiv të Lazio-s që edhe pse nuk është shprehur publikisht, shpeshherë është përfolur si kandidat për president të Federatës, ndoshta prej zgjedhjeve të vitit 2022.
Përpos ish-kapitenit të Kombëtares, nga gara përjashtohen edhe personazhe aktivë të politikës, për të evituar rivalë si deputeti Bashkim Fino, që në shkurt të vitit 2018 ishte rivali i vetëm për presidencën. Pas asaj beteje të përbërë nga akuzat dhe kundërakuzat si edhe ndërhyrja e dukshme politike, në pikën f) të statusit të ri saktësohet se kandidatët “nuk duhet të jenë apo të kenë qenë, deputetë, kandidatë për deputetë, anëtarë të organeve drejtuese në ndonjë parti politike, ose funksionar politikë në 5 vitet e fundit”.
Mes ndryshimeve në statut, bie në sy në pjesën e “Përkufizimeve”, aty ku Liga Profesioniste, cilësohet “një organizatë që është në varësi të një federate”. Ky etiketim zhbën çdo tentativë apo deklaratë të regjistruar gjatë bojkotit, ku Liga e Futbollit deklarohej organ i pavarur. Gjithashtu, Asambleja vendosi shkrirjen në një komision të vetëm të Disiplinës dhe Etikës, me të gjitha ndryshimet statutore, që sipas nenit 33, hyjnë në fuqi prej datës 1 janar 2021.