Kryeministri grek Aleksis Cipras ka pranuar ftesën për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë.
Ftesa është bërë nga homologu i tij shqiptar Edi Rama, gjatë takimit që ata patën më herët të enjten, në kuadër të forumit ekonomik ndërkombëtar në Davos, sipas gazetarit të Ora News, Robert Goro.
Sipas burimeve qeveritare greke që citon agjencia vendase e lajmeve ANA-MPA, synimi i këtij takimi ishte hapja e rrugës për normalizimin e plotë dhe ngritjes në një nivel më të lartë, të marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas të njëjtave burime, Greqia dhe Shqipëria janë të gatshme për një marrëveshje strategjike, e cila do të zgjidhë gjithë problemet kritike ndërmjet tyre dhe do të promovojë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit të tyre, me praninë edhe të ministrave të jashtëm, dy kryeministrat kanë diskutuar mbi pikat që mbeten deri në nënshkrimin e marrëveshjen, njoftojnë burimet qeveritare greke.
Sipas tyre, Cipras e Rama diskutuan edhe gjendjen e minoritetit grek në Shqipëri.