Kryeministri Edi Rama u pyet në konferencën për media mbi ftesën e Presidentit Zelensky për bashkëpunim në prodhimin e municioneve që mund t’i duhen Kievit kundër agresionit rus.
Rama tha së pari duam që të kemi një industri “për veten tonë” duke ringjallur infrastrukturën e vjetër përmes investimeve. Rama shtoi se po punohet për gjetjen e marrëveshjes së duhur dhe partnerëve të duhur.
“Ne si Serbia, Bosnja apo Kroacia, nuk kemi një industri prodhuese të mjeteve ushtarake. Duam ta kemi së pari për veten tonë. Po punojmë që të gjejmë marrëveshjen dhe partnerët e duhur, për të ringjallur infrastrukturën tonë të vjetër dhe për të bërë më shumë investime. Propozimi s’ka asgjë të jashtëzakonshme, Presidenti Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit dhe të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, ne e dimë mirë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje dhe do ta bëjmë këtë. Ka vetëm një kusht, ta bëjmë këtë me aleatët, jo me të tjerët”, tha Rama.